Shpërndanin drogë në Mikonos, kapen 3 shqiptarë, njëri i kërkuar nga SPAK

Nga A2 CNN
9 Qershor 2025, 08:05 | Bota

Shpërndanin drogë në Mikonos, kapen 3 shqiptarë, njëri

Tre shtetas shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë greke pas një operacioni të gjerë anti-drogë të zhvilluar në ishullin turistik të Mykonos. Të arrestuarit janë identifikuar si Spiro Lila, 30 vjeç, Roland Allka, 33 vjeç, të dy nga Gramshi, dhe Euglend Dumi, 36 vjeç, nga Vaqarri i Tiranës. Njëri prej tyre, Lila, rezulton i shpallur në kërkim nga SPAK, për përfshirje në një grup kriminal që operonte me trafik ndërkombëtar droge nga Saranda, goditur në maj 2019 nga ish-Prokuroria për Krimet e Rënda.

Sipas hetimeve të policisë greke, shqiptarët ishin pjesë e një rrjeti të organizuar që vepronte të paktën që nga maji 2025, duke tregtuar kokainë të bardhë dhe rozë, marijuanë, metamfetaminë kristalore dhe tableta narkotike në zonën e Mykonosit. Grupi përdorte tre banesa të marra me qira pranë njëra-tjetrës si baza për magazinimin dhe shpërndarjen e drogës.

Trafikantët lëviznin nëpër ishull me automjete dhe motoçikleta për të shpërndarë drogën tek klientët, duke përfituar fitime të mëdha. Për të shmangur ndjekjen nga policia, ata mbanin një “roje telefonike” jashtë banesave, ndërsa gjatë udhëtimeve bënin ndalesa të shkurtra dhe manovra të rrezikshme për të vëzhguar lëvizjet e policisë.

Gjatë kontrolleve të policisë, të ndihmuar edhe nga një qen antidrogë, u sekuestruan: 932.22 gram kokainë, 7 gram kokainë rozë, 899 gram marijuanë, 1.4 gram metamfetaminë, 93 tableta narkotike, 5,060 euro, një armë zjarri, municione, thikë, peshore elektronike, automjet, motor dhe telefona celularë.

Sipas autoriteteve greke, fitimi i paligjshëm i grupit kapte vlerën mbi 100,000 euro. Lënda narkotike do t’i nënshtrohet analizave laboratorike, ndërsa paratë e sekuestruara do t’i dorëzohen Zyrës Tatimore të Mykonos. Hetimet për të zbuluar lidhje të tjera të mundshme po vijojnë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos