Ishte nisur për Gaza, Izraeli ndalon anijen e Greta Thunberg

Nga A2 CNN
9 Qershor 2025, 07:20 | Bota

Ishte nisur për Gaza, Izraeli ndalon anijen e Greta Thunberg

Një tjetër tension ndërkombëtar ka shpërthyer në Mesdheun Lindor, pasi ushtria izraelite ka sekuestruar anijen humanitare Madleen, pjesë e Flotiljes së Lirisë, që kishte si destinacion Rripin e Gazës. Në bordin e saj ndodhej edhe aktivistja e njohur suedeze për klimën dhe të drejtat e njeriut, Greta Thunberg, së bashku me dhjetëra aktivistë ndërkombëtarë që kërkonin të çonin ndihma humanitare në enklavën palestineze të rrethuar.

Sipas deklaratës së Koalicionit të Flotiljes së Lirisë të publikuar në Telegram, komunikimi me anijen është ndërprerë plotësisht dhe besohet se ajo është ndaluar nga marina izraelite. “Komunikimet me Madleen janë ndërprerë. Ushtria izraelite e ka sekuestruar anijen,” thuhet në njoftim, duke shtuar se ekuipazhi është “rrëmbyer nga forcat izraelite”.

Thunberg, e cila prej kohësh ka qenë një zë i fuqishëm në mbrojtje të drejtësisë globale dhe kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut, i ishte bashkuar kësaj nisme për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare ndaj situatës humanitare në Gaza. Para nisjes së flotiljes, ajo kishte deklaruar se “heshtja përballë bllokadës është bashkëfajësi”, duke kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë hapa konkrete për të lehtësuar vuajtjet e popullsisë civile palestineze.

Ushtria izraelite kishte paralajmëruar më herët se nuk do të lejonte askënd të thyente bllokadën detare ndaj Gazës, e vendosur si pjesë e kontrollit të ashpër të qasjes në territorin palestinez. Një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit deklaroi më parë se “çdo përpjekje për të thyer bllokadën do të pengohet, për arsye sigurie dhe për të parandaluar kontrabandën e mundshme të materialeve të ndaluara”.

Nuk dihet ende fati i saktë i aktivistëve, përfshirë Thunberg, ndërsa organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë nisur thirrje për lirimin e menjëhershëm të tyre dhe për lehtësimin e dërgesave humanitare drejt Gazës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos