Plumba gome dhe gaz lotsjellës, Los Angeles akuzon Trump për protestat e dhunshme

Nga A2 CNN
9 Qershor 2025, 07:27 | Bota

Plumba gome dhe gaz lotsjellës, Los Angeles akuzon Trump për protestat

Qendra e Los Angeles është shpallur zonë e “grumbullimit të paligjshëm” nga Policia, pasi protestat në qytet kanë hyrë në ditën e tretë me përplasje të dhunshme midis forcave të rendit dhe demonstruesve.

Të paktën dhjetë persona janë arrestuar të dielën gjatë trazirave të shkaktuara nga bastisjet e zyrave të emigracionit të kryera nga autoritetet federale amerikane. Protestuesit, të irrituar nga veprimet e fundit të administratës Trump, bllokuan një nga autostradat kryesore të qytetit, çka çoi në ndërhyrjen e forcave të sigurisë me gaz lotsjellës dhe plumba gome për shpërndarjen e turmës.

Në përgjigje të situatës, të paktën 300 pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Kalifornisë janë vendosur në tre zona të ndryshme në Los Angeles, ndërkohë që 500 marinsa janë vendosur në një gjendje “gatishmërie për dislokim” në një bazë rreth 230 kilometra në lindje të qytetit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbrojtur vendimin e tij për të vendosur trupat pa një kërkesë zyrtare nga guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom. Trump e ka quajtur këtë hap “të domosdoshëm për ligj dhe rend”, duke e cilësuar situatën në Los Angeles si të jashtëzakonshme.

Nga ana tjetër, guvernatori Newsom ka reaguar ashpër, duke e quajtur vendimin e presidentit “të paligjshëm” dhe “të pamoralshëm”, ndërsa ka kërcënuar me padi kundër administratës federale. Edhe kryetarja e bashkisë së Los Angeles-it, Karen Bass, ka hedhur akuza ndaj Shtëpisë së Bardhë, duke thënë se “kaosi që po shohim në Los Angeles është i provokuar nga administrata”, teksa ka kërkuar nga protestuesit të mbajnë demonstrime paqësore.

Tensionet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa qyteti ndodhet në një gjendje të lartë pasigurie dhe konfrontimi politik mes autoriteteve lokale dhe atyre federale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos