Shpërthen makina e drejtorit të spitalit të Prishtinës

Nga A2 CNN
30 Prill 2025, 11:45 | Kronikë

Shpërthen makina e drejtorit të spitalit të Prishtinës

Vetura private e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Osman Hajdari, është dëmtuar nga një shpërthim i dyshuar paraditen e 30 prillit.

Nga Policia e Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se në orën 10:00 pranuan informacionet ldhur me dyshimet për një shpërthim në një veturë, që ishte në parkingun e QKUK-së.

“Aktualisht nuk raportohet për të lënduar, përveç dëmeve materiale”, thanë nga Policia.

Ndërkaq, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) tha se “dëmtimi ka ndodhur në rrethana ende të panjohura”.

SHSKUK-ja tha se dëmtimi i veturës private ndodhi në kohën kur po bëheshin përgatitjet e mbledhjes së rregullt të Bordit Drejtues të këtij institucioni, “e cila ishte paraparë të mbahej në hapësirat e administratës qendrore të SHSKUK-së”.

“SHSKUK shpreh shqetësim dhe keqardhje lidhur me rastin, duke ofruar bashkëpunimin e plotë me autoritetet përkatëse”, u tha në njoftim.

Nga Policia e Kosovës thanë se kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe se po trajtojnë rrethanat e këtij incidenti./REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos