Përdhosi simbolet kombëtare, prokuroria ngre aktakuzë ndaj një mësuesi

Nga A2 CNN
24 Prill 2025, 17:45 | Kronikë

Përdhosi simbolet kombëtare, prokuroria ngre aktakuzë ndaj

Prokuroria Speciale e Kosovës, pas zhvillimeve të hetimeve, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, ndaj të pandehurit M.H.

Nga provat e siguruara gjatë fazës së hetimeve, dhe pas analizimit të tyre, është vërtetuar se i pandehuri, në cilësinë e personit zyrtar, mësimdhënës, me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mos durimit midis grupeve kombëtare, etnike dhe fetare në Kosovë, me rastin e ditës së flamurit kombëtar, publikisht ka ndërmarrë veprime konkrete në drejtim të përdhosjes së simboleve kombëtare shqiptare, më konkretisht flamurit kombëtar dhe plisit, çka me këto veprime ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit.”

Prokurori i shtetit nga Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të njëjtin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas Kodit Penal të Kosovës.

Po ashtu, prokurori i rastit, ka kërkuar nga gjykata që ndaj të pandehurit M.H, t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, raporton KosovaPress. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos