Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh kundër të gjashtë të pandehurve që akuzohen për vrasjen e rreshterit, Muhamed Lika. Të dyshuarit janë identifikuar vetëm me iniciale dhe vijnë nga Kaçaniku.
Akuza që rëndon kundër tyre është për vrasje të rëndë. Rreshteri Muhamed Lika u vra natën e 1 prillit brenda shkallëve të banesës ku jetonte në Kaçanik dhe po kthehej nga puna në momentin e atentatit.
Në vendimin e Gjykatës thuhet se ka dyshime të forta se të pandehurit e kanë kryer në bashkëpunim, me dashje dhe parapërgatitje vrasjen e zyrtarit të policisë. Avokatët mbrojtës të dy prej të pandehurve theksuan pas seancës se klientët e tyre nuk janë përfshirë në vrasje. (A2 Televizion)