Volejbolli i meshkujve këtë sezon nuk kishte histori! Partizani dominoi ndaj çdo kundërshtari dhe në fund u shpall kampion i Shqipërisë. Ekipi i drejtuar nga Yll Tomorri ishte perfekt në çdo ndeshje dhe nuk regjistroi asnjë humbje. Kryeqytetasit arritën çdo objektiv, jo vetëm që mbrojtën titullin kampion por bënë për vete çdo trofe të mundshëm.
Me vetëm një set të humbur në gjithë sezonin, Partizani regjistroi një sezon historik dhe arriti të mbrojë më së miri titullin kampion. Një sezon i paharrueshëm për Partizanin që ngriti lart për herë të 17 në histori trofeun e titullit kampion. Kryeqytetasit mundën tre herë radhazi Skënderbeun në finale në ndeshje pa histori që udhëhoqi vetëm sulmi i kuq.
Arkitekti i kësaj skuadre, trajneri Yll Tomorri ndërtoi ekipin që çdokush do e dëshironte me lojtarët më të mirë shqiptarë bashkuar dhe me forcën e lojtarëve të huaj si braziliani Kutinjo apo kolumbiani Pablo...
Për trajnerin Ylli Tomorri, ky vit arriti çdo pritshmëri. Që në fillim ekipi ishte projektuar për të fituar të 5 trofetë. Për shtatlartin Raul Sabliqin, ky sukses nuk ishte një rastësi, por ishte fryti i një punë te madhe që gjithë ekipi bënte çdo ditë në stërvitje.
Për dy vëllezërit Martiro, ky sezoni me fanellën e Partizanit rezultoi një sukses. Edhe pse të rritur në akademinë e klubit të kuq, Kristi dhe Ledio tregojnë se është gjithmonë një emocion i veçantë. Sipas tyre fryma pozitive e grupit dhe ambicia për të fituar përballë çdo kundërshtari ishin çelësi i suksesit për këtë vit fantastik.
Kutinjo ishte padyshim një forcë e shtuar e klubit të kuq. Pas një sezoni fantastik vitin e kaluar, klubi i kuq vendosi që ta riktheje brazilianin në kryeqytet.
Kutinjo ishte ky sezoni juaj më i mirë ?
Për mua dhe për skuadrën. Jam ndjerë shumë mirë këtu. Jemi njësoj si një familje. Falënderoj dhe djemtë për gjithë mbështetjen që më kanë dhënë. Ma kanë bërë çdo gjë më të thjeshtë për mua. Jam shumë i lumtur për djemtë dhe gjithashtu edhe për trajnerin.
Sipas teje, cila ishte skuadra më e fortë për Partizanin?
Mendoj Skënderbeu. Për mua korçarët janë skuadër shumë e mirë. Kanë bërë një sezon shumë të mirë, konkurrues. I bej komplimente. Kur ne luajmë në Korçë, është me e vështirë. Kjo për shkak të tifozëve. E dua dhe qytetin e Korçës, atmosferën aty, por të luash aty është vërtetë e vështirë. Në ligën Gjergj Kastrioti shkuam pikë më pikë ndonëse në fund fituam 3-0, loja ishte me shumë rivalitet. Por ne bëmë detyrën.. dhe e mbyllim kështu është e mahnitshme...
A do të qëndrosh te Partizani dhe për sezonin tjetër?
Do të shohim. Akoma nuk kemi folur për këtë gjë. Tani nuk di asgjë akoma. Do të flas me trajnerin, për të rregulluar mbase dhe disa gjëra. Nuk e di, nuk e di...
A mundet që kjo skuadër të bëjë mirë dhe në arenën europiane?
Po. Mendoj që kjo skuadër ka shumë cilësi dhe mund të luajë në ligat e Europës. Sigurisht duhet të punojmë akoma pasi dihet niveli aty por mendoj që është e mundur se mund ti konkurojmë.
Braziliani Kutinjo e dashuron Shqipërinë dhe do ta njohë më shumë atë. Përveç disa fjalëve që ka mësuar në shqip, ai tregon dhe dëshirën për të kaluar pushimet në bregdetin shqiptar.
Disa ditë po do ti kaloj në Shqipëri.. Nuk e di ende ku do të shkojë. Mbase në Korçë, mbase këtu, mbase në Durrës ose pse jo të shoh dhe vende të tjera. Tani kam shumë kohë përpara se të rikthehem në vendin tim. Do të shohim.
Objektivi i Partizanit tani mbeten ndeshjet europiane ku vështirësia do të jetë shumë herë më e madhe. Ata nuk duan të flasin para por premtojnë se nëse do te kenë mundësi dhe mbi të gjitha mbështetjen financiare, ata do të japin gjithçka për një paraqitje sa më dinjitoze dhe në arenën europiane. (A2 Televizion)