
Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një zonë industriale të Buenos Airesit në Argjentinë, duke rezultuar në dëme të shumta dhe një zjarr masiv në Ezeiza. Ngjarja ndodhi në një kompleks industrial në qytetin Carlos Spegazzini dhe, sipas mediave lokale, shkaktoi të paktën 22 të plagosur.
Sipas mediave lokale shumë fluturime që mbërrijnë në aeroportin ndërkombëtar, jo shumë larg vendit të shpërthimeve, janë vonuar ose devijuar, dhe një nga rrugët hyrëse të aeroportit është bllokuar.
Kryetari i bashkisë së Ezeizës, Gastón Granados, deklaroi për mediat se flakët prekën disa fabrika në parkun industrial, të cilat përfshinin kryesisht kompani që prodhonin goma dhe produkte kimike, ndër të tjera.
"Njëra prej tyre është një fabrikë kimike, depot e së cilës, që përmbanin materiale bujqësore dhe plehra, u përfshinë nga flakët. Ekziston edhe një fabrikë prodhimi plastikë", tha ai.
Sipas burimeve mjekësore të cituara nga mediat lokale, shumica e të plagosurve janë banorë vendas, të cilët pësuan lëndime të lehta deri të moderuara si pasojë e djegieve, traumave të shumëfishta dhe xhamave të thyer nga vala e shpërthimit.
"Lidhur me shpërthimin që ndodhi këtë mbrëmje në zonën e Ezeizës, Ministria e Shëndetësisë raporton se spitalet provinciale dhe komunale në rajon po bashkëpunojnë në një rrjet të koordinuar, të gatshëm për të pritur dhe trajtuar këdo që mund të jetë prekur", raportoi Ministria e Shëndetësisë e Provincës së Buenos Aires.
(A2 Televizion)
