Disa persona kanë vdekur dhe shumë të tjerë rezultojnë të zhdukur pas një shpërthimi në një fabrikë prodhimi eksplozivësh në Tenesi, në Utah të Shteteve të Bashkuara.
Një shpërthim "masiv" ndodhi, pak para orës 8 të mëngjesit me orën amerikane, me shpërthime dytësore që fillimisht i detyruan ekipet e shpëtimit të mbanin distancë nga vendi i ngjarjes.
Të paktën 19 persona u raportuan fillimisht të zhdukur dhe shumë të tjerë u shtruan në spital, sipas zyrtarëve të Menaxhimit të Emergjencave të Qarkut Tenesi, shkruan A2 CNN.
“Në këtë kohë kemi disa persona të zhdukur. Po përpiqemi të jemi të vetëdijshëm për familjet dhe për këtë situatë”, tha Sherifi i Qarkut Tenesi, Chris Davis, në një konferencë për shtyp. “Kemi disa persona që kanë ndërruar jetë”. Shkaku i shpërthimit nuk dihet ende.
Një deklaratë e lëshuar nga Qarku Tenesi u bëri thirrje njerëzve të shmangin spekulimet dhe të respektojnë privatësinë e viktimave. "Personeli i emergjencës është në vendngjarje dhe po e menaxhon në mënyrë aktive situatën. Ju lutemi shmangni zonën për t'u lejuar ndihmësve të punojnë në mënyrë të sigurt dhe efikase", thuhet në deklaratë. (A2 Televizion)