
Çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm dhe tregjet e aksioneve aziatike janë rritur me shpresën e një marrëveshjeje që mund t'i japë fund luftës së SHBA-ve dhe Izraelit me Iranin, shkruan A2CNN.
Të shtunën, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, tha se një marrëveshje me Teheranin ishte negociuar në terma të përgjithshëm dhe detajet do të shpalleshin së shpejti, por të nesërmen i kërkoi ekipit të tij negociator të mos nxitohej.
Të hënën në Azi, çmimi i naftës Brent ra me 5.5% në 97.90 dollarë ndërsa nafta e papërpunuar e tregtuar në SHBA ishte 5.9% më e ulët, 90.93 dollarë.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë do të shprehej më herët se marrëveshja do të përfshinte rihapjen e rrugës kryesore të transportit detar të Ngushticës së Hormuzit, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Rruga ujore, përmes së cilës kalon zakonisht rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG) në botë, është mbyllur në mënyrë efektive që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt.
Indeksi i aksioneve Nikkei 225 në Japoni u rrit mbi 65,000 për herë të parë, pasi fitoi 3% me shpresën se ngushtica do të rihapej së shpejti.
Japonia, ashtu si Koreja e Jugut fqinje, është prekur veçanërisht nga konflikti pasi ato varen shumë nga energjia nga Gjiri.
Tregjet e energjisë dhe financiare në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA janë të mbyllura të hënën për shkak të festave zyrtare.
(A2 Televizion)