Sulm kamikaz ndaj trenit, mbi 20 viktima në Pakistan

Nga A2 CNN
24 Maj 2026, 19:46 | Bota

Sulm kamikaz ndaj trenit, mbi 20 viktima në Pakistan

Të paktën 20 persona janë vrarë dhe 70 të tjerë janë plagosur në një shpërthim që shënjestroi një tren që transportonte personel ushtarak në Pakistan.

Shpërthimi ndodhi ndërsa treni po udhëtonte në stacionin Chaman Phatak në Quetta, kryeqytetin e rajonit perëndimor të Balochistanit, të dielën në mëngjes.

Zyrtarët e hekurudhës i thanë BBC se tre vagona dhe lokomotiva dolën nga shinat, ndërsa dy u përmbysën.

Grupi separatist i Ushtrisë Çlirimtare të Balochistanit (BLA) mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se ishte një sulm vetëvrasës me bombë. Zyrtarët pakistanezë ende nuk e kanë konfirmuar këtë, përcjell A2.

Imazhet nga vendi i ngjarjes tregojnë vagona të djegur dhe të dëmtuar, si dhe dëmtime nga bombat në një ndërtesë aty pranë.

"Treni ishte në lëvizje dhe kishte pasagjerë në bord kur ndodhi shpërthimi," i tha BBC-së Naseer Ahmed, një banor vendas.

Dëshmitarët okularë thanë se një automjet i ngarkuar me eksplozivë u përplas me trenin, duke shkaktuar shpërthimin.

Një oficer policie dhe një zyrtar i administratës civile në Balochistan konfirmuan për BBC Urdu se 20 persona ishin vrarë, me frikën se numri i të vdekurve mund të rritej. Zyrtarët thanë se tre ushtarë ishin midis të vdekurve.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, e dënoi ashpër sulmin, duke thënë se "akte të tilla frikacake terrorizmi nuk mund ta dobësojnë vendosmërinë e popullit të Pakistanit".

"I gjithë kombi solidarizohet me popullin e Balochistanit në këtë orë pikëllimi", shtoi ai.

Zyrtarët thanë se ata që ishin në tren ishin duke shkuar për në stacionin kryesor hekurudhor të Quetta-s nga një kamp ushtarak aty pranë. Nga atje, ata do të udhëtonin për në Peshawar dhe më pas në qytetet e tyre të lindjes për festën e Bajramit.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos