Shtohet misteri për tragjedinë ajrore në Indi, raporti zbulon momentet e fundit në kabinë

Nga Rosalba Bejdo
12 Korrik 2025, 14:13 | Bota

Një raport paraprak mbi aksidentin ajror të Air India në muajin qershor, ku humbën jetën 260 persona ka zbuluar se të dy çelësat e kontrollit të karburantit kishin kaluar në pozicion të ndërprerjes, një lëvizje që çon në fikje të motorëve, disa momente para se avioni të rrëzohej në Ahmedabad.

Një regjistrim audio në kabinë sugjeron se ka pasur konfuzion mes dy pilotëve, teksa njëri prej tyre dëgjohet t’i thotë kolegut se përse kishte ndërprerë pse i kishte kaluar çelësat në pozicion të ndërprerjes, por ai ishte përgjigjur se nuk e kishte bërë diçka të tillë. 

Boingu 787 i nisur për Londër nga qyteti indian i Ahmedabad filloi të humbiste shtytjen dhe të binte menjëherë pas nisjes, sipas raportit lidhur me tragjedinë më vdekjeprurëse ajrore në një dekadë, i publikuar nga hetuesit indianë.

Tani regjistrimi audio vetëm sa e thellon misterin e aksidentit, me ekspertët që vlerësojnë se është gati e pamundur të lëvizësh njëkohësisht të dy çelësat e karburantit, e diçka e tillë nuk do të mund të bëhej as aksidentalisht. Në raport nuk identifikohet se cili mes kapitenit dhe ndihmësit të tij i kishte bërë deklaratat, dhe as se cili prej pilotëve kishte përcjellë pak çaste para tragjedisë thirrjen për ndihmë, ‘mayday’.

Agjencia Europiane për sigurinë e aviacionit tha javën e kaluar se planifikon të hetojë kompaninë ajrore Air India Express, mes raportimeve se nuk ka ndjekur udhëzimin për të ndryshuar pjesë të motorit në avionët Airbus A320 në kohën e duhur dhe se ka falsifikuar të dhënat lidhur me këtë. Vetëm një nga 242 personat në bord mbijetoi dhe të paktën 19 vetë vdiqën në tokë ku aeroplani u rrëzua pak çaste pas ngritjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos