Analisti i shquar amerikan me origjinë polake, Janusz Bugajski, një nga zërat më të respektuar në analizat mbi Evropën Lindore dhe Ballkanin, ka ndërruar jetë këtë të shtunë.
Bugajski ishte një njohës i thellë i çështjeve euroatlantike dhe një mbrojtës i palëkundur i demokracisë, qeverisjes së mirë dhe lirisë së shtypit.
Gjatë karrierës së tij të gjatë, ai bashkëpunoi ngushtë me institucione prestigjioze ndërkombëtare dhe ishte një analist i rregullt në Zërin e Amerikës dhe herë pas here i Radio Televizionit të Kosovës, ku kontributet e tij u vlerësuan lart për qartësinë, profesionalizmin dhe qëndrimet parimore.
Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e ka ndarë me publikun analisti i njohur dhe ish-drejtori i Zërit të Amerikës për Evropën dhe Euroazinë, Elez Biberaj.
“U trondita dhe u pikëllova thellë kur mësova për ndarjen nga jeta të mikut dhe kolegut tim të ngushtë Janusz Bugajski. Janusz ishte një analist brilant i çështjeve euroaziatike, një autor prolifik botimet e të cilit formësuan thellësisht kuptimin tonë për rajonin dhe një avokat i qëndrueshëm për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe lirinë e shtypit. Ai ishte një mysafir i shpeshtë dhe i vlerësuar në transmetimet e Zërit të Amerikës, dhe njohjet e tij ishin vazhdimisht të qarta, parimore dhe thellësisht të informuara”, ka shkruar Biberaj.
Ndër vite, Bugajski ka punuar bashku në shumë projekte, sidomos në punët e Ballkanit. Po ashtu ka qenë autor i një sërë librash dhe analizash mbi politikën ndërkombëtare, me fokus të veçantë në zhvillimet në Ballkan, NATO dhe marrëdhëniet transatlantike.
Ai njihej si një zë i fortë në mbrojtje të pavarësisë dhe stabilitetit të vendeve të rajonit.
Bugajski lindi më 23 shtator 1954, në Nantwich, Cheshire, Angli. Ai është një bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin Jamestown në Uashington, D.C, i cili shërbente gjithashtu si prezantues i emisioneve televizive “Bugajski Hour” që transmetohej në Ballkan përfshirë RTK-në. (A2 Televizion)