Brenda “haremit” sekret të Vladimir Putinit

Nga A2 CNN
18 Tetor 2025, 15:18 | Bota

Brenda “haremit” sekret të Vladimir Putinit

Në vitin 2021, gazetarët rusë të portalit investigativ Proekt përjetuan një nga ndëshkimet më të ashpra të Kremlinit. Roman Badanin u zgjua në agim nga agjentë të FSB-së, të cilët i bastisën banesën për orë të tëra dhe më pas e morën në pyetje. Faji i tij? Një intervistë e shkurtër me një vajzë që besohej të ishte vajza e jashtëligjshme e presidentit Vladimir Putin. “Jeta private e Putinit është tabu absolute”, tha Badanin. “Gazetarët rusë e dinë mirë shprehjen: Mos prek familjen e tij”.

Tashmë në mërgim në Kaliforni, Badanin dhe bashkëpunëtori i tij Mikhail Rubin kanë botuar librin The Tsar Himself: How Vladimir Putin Deceived Us All - “Cari vetë: Si na mashtroi të gjithëve Vladimir Putin”, ku zbulojnë detaje për jetën sentimentale të presidentit rus, një temë që Kremlini e ruan me fanatizëm, përcjell A2 CNN.

Brenda “haremit” sekret të Vladimir Putinit
A ngjajnë? Putin në moshën 14-vjeçare dhe Luiza Rozova, e cila flitet se është vajza e tij.

Historia e parë tronditëse lidhet me Svetlana Krivonogikh, një ish-pastruese nga Shën Petersburgu, e cila u lidh me Putinin në fund të viteve ’90. Nga kjo lidhje lindi një vajzë, Elizaveta (ose Luiza Rozova), e cila i ngjan jashtëzakonisht presidentit rus. Pas lindjes së saj, pasuria e nënës ndryshoi në mënyrë të pabesueshme: një apartament 3 milionë paundësh në Monte Karlo, prona në Moskë dhe Shën Petersburg, një jaht, pasuri totale mbi 78 milionë paund, siç zbuluan “Pandora Papers”.

Brenda “haremit” sekret të Vladimir Putinit
Alina Kabaeva, kampione olimpike. Flitet se Putin ka dy djem nga lidhja me të.

Më pas erdhi Alina Kabaeva, kampione olimpike dhe një nga gratë më të famshme në Rusi. E quajtur “gruaja më elastike e vendit”, ajo fitoi medalje ari në Olimpiadën e Athinës në vitin 2004 dhe pozoi për revistën Maxim. Pikërisht atëherë u prezantua me Putinin nga trajnerja e saj, Irina Viner. Romanca e tyre, që filloi rreth vitit 2006, u shoqërua nga tragjedi dhe heshtje: ish-i dashuri i Kabaevës, këngëtari Murat Nasyrov, vdiq pasi “ra” nga një ballkon në Moskë.

Në vitin 2008, një gazetë ruse raportoi për një martesë të afërt mes Putinit dhe Kabaevës. Pas publikimit, redaktori u detyrua të jepte dorëheqjen dhe gazeta u mbyll nën presionin e FSB-së. Sot, Kabaeva besohet të ketë dy djem me Putinin dhe drejton National Media Group, me një pagë prej 7,7 milionë paundësh në vit.

Brenda “haremit” sekret të Vladimir Putinit
Putin dhe bashkëshortja e tij Lyudmila.

Putin dhe bashkëshortja e tij Lyudmila u divorcuan në vitin 2014, pas gati tri dekadash martesë. Ajo e përshkruante Putinin si një “vampir” që punonte 17 orë në ditë, ndërsa ai e ironizonte duke thënë se “çdo njeri që do ta duronte për tri javë, meriton monument”.

Në të njëjtin vit, Putin u përfol sërish për një romancë me Alisa Kharcheva, një studente 17-vjeçare që kishte pozuar për një kalendar erotik me dedikime për presidentin. Ajo më vonë u pranua në një nga universitetet më elitare të Moskës dhe përfundoi duke jetuar në një kompleks luksoz.

Brenda “haremit” sekret të Vladimir Putinit
Alisa Kharcheva, modele.

Sipas Badanin dhe Rubin, për rrethin e Putinit “martesa është një formalitet, tradhtia është normë, dhe çdo grua varet nga burri për karrierën dhe pasurinë e saj”. Sot, Kabaeva mbetet më e afërta me rolin e “carinës”, ndërsa të tjerat janë zhdukur në hije.

Ndërkohë, Roman Badanin jeton në mërgim, shpallur “i padëshirueshëm” nga Kremlini, pasi guxoi të hidhte dritë mbi sekretet intime të njeriut më të fuqishëm të Rusisë. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos