
Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për udhëtimet ajrore, duke ndryshuar rrugët e fluturimeve dhe duke rritur kostot për pasagjerët.
Sipas një analize të publikuar nga BBC, linjat ajrore janë detyruar të shmangin hapësira të caktuara ajrore për arsye sigurie, duke zgjedhur rrugë më të gjata. Kjo sjell automatikisht rritje të kohëzgjatjes së fluturimeve dhe konsumit të karburantit.
Ekspertët paralajmërojnë se, nëse situata përkeqësohet, ndikimi mund të jetë edhe më i madh, duke prekur jo vetëm linjat që kalojnë mbi zonën e konfliktit, por edhe trafikun ajror global.
Një tjetër shqetësim lidhet me rritjen e çmimeve të naftës, që zakonisht shoqëron tensionet në këtë rajon. Kjo mund të çojë në rritje të çmimeve të biletave për pasagjerët, ndërsa kompanitë ajrore përpiqen të përballojnë kostot shtesë.
Gjithashtu, kufizimet në hapësirën ajrore dhe rreziqet e sigurisë mund të shkaktojnë vonesa dhe anulime fluturimesh, duke krijuar paqartësi për udhëtarët. (A2 Televizion)