"Situata globale po bëhet e ashpër", Scholz i pakënaqur me samitin e G20, Rusia u la jashtë vëmendjes

Nga Erjon Dervishi
19 Nëntor 2024, 23:47 | Bota

Lufta në Ukrainë dhe çështja ruse u la jashtë diskutimit në Samitin e G20. Ky fakt nuk i ka pëlqyer, Kancelarit gjerman Olaf Scholz. Në një deklaratë për mediat në përfundim të Samitit të G20 në Brazil, Scholz theksoi se i vinte keq për faktin se komunikata e G20 nuk nënvizonte përgjegjësinë e Rusisë për luftën në Ukrainë, veçanërisht në ditën e 1000-të të pushtimit të saj në shkallë të gjerë.

"Ne folëm për këtë, por tani është dita e njëmijë e kësaj lufte të tmerrshme. 1000 ditë në të cilat presidenti rus Putin ka bombarduar pa mëshirë Ukrainën. 1000 ditë në të cilat gra, fëmijë dhe burra kanë vdekur në Ukrainë. Dhe 1000 ditë në të cilat njerëzve u është dashur të vuajnë për megalomaninë e tij të verbër, në të cilën ai dëshiron të zgjerojë vendin e tij me forcë. Kështu që nuk mjafton nëse G20 nuk gjen fjalë të qarta për përgjegjësinë e Rusisë. Në këtë pikë do të kisha dashur që të ishte ndryshe", tha Olaf Scholz, Kancelari i Gjermanisë.

Gjithashtu, Scholz shprehu keqardhje për faktin se komunikata e G20 nuk shprehte qartë të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje dhe përgjegjësinë e Hamasit për përshkallëzimin aktual të tensioneve në Lindjen e Mesme. "Po bëhet e qartë se tensionet gjeopolitike po ndikojnë gjithashtu në G20. Era që fryn në marrëdhëniet ndërkombëtare po bëhet më e ashpër", tha ai.

Nga Brazili, Olaf Scholz, njoftoi edhe kandidimin e tij për postin e Kancelarit nën logon e SPD-së gjermane.

"Ky është vendimi. Dhe ky është gjithashtu vendimi që po diskutohet tani. Kushdo që, si unë, thotë se tani do të ketë zgjedhje të reja duke bërë të mundur këtë rrugë, po nxit gjithashtu një diskutim se si të pozicionohemi. Është e qartë edhe për SPD-në, por edhe për mua edhe një herë. Së bashku, unë dhe SPD”, tha Olaf Scholz, Kancelari i Gjermanisë.

Samiti i G20 në Brazil u dominua nga çështja e klimës dhe emetimeve zero. Pritësi i këtij Samiti, Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva u kërkoi udhëheqësve të Grupit të 20 ekonomive kryesore që të përshpejtojnë objektivat e tyre kombëtare të klimës, duke u bërë thirrje atyre të arrijnë zero emetimet neto klimatike pesë deri në 10 vjet përpara orarin.

Duke hapur sesionin e fundit të samitit të G20 në Rio de Zhaneiro, Lula sugjeroi që vendet të sjellin objektivat e tyre për të arritur neutralitetin e klimës deri në vitin 2040 ose 2045, në vend të vitit 2050 siç janë zotuar Brazili dhe shumë të tjerë. Presidenti i Brazilit shpalli të mbyllur samitin e G20-ës në Rio de Zhaneiro, duke ia kaluar çekiçin ceremonial Presidentit të Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa i cili vendosi disa objektiva, të cilët përfshijnë rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse, sigurinë ushqimore dhe inteligjencën artificiale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos