“S’marr vesh nga politika”, Tik Tok-eri qipriot garon për eurodeputet, sondazhet e nxjerrin fitues

Nga A2 CNN
29 Maj 2024, 17:28 | Bota

Skena e zgjedhjeve europiane në Qipro ka një personazh të ri surprizë si kandidat. Bëhet fjalë për 24-vjeçarin Tik Tok-er, Phidias Panagiotou i cili është pretendent për një nga 6 vendet në Parlamentin e ri Europian.

Ajo çka e bën më të bujshme kandidimin e tij është fakti që sondazhet e nxjerrin fitues përballë shumë partive tradicionale, duke lënë pas edhe partinë historike të Vasos Lyssaridis, EDEK. Sondazhi i fundit i RAI në emër të Alpha Qipro tregoi se Phidias Panagiotou siguron 8.7% të votave.

Panagiotou është djali i një familje të thjeshtë, nuk ka kryer studime dhe nuk gëzon tituj akademikë, por ka bërë një karrierë të suksesshme në Tik Tok dhe Youtube me videot e tij frymëzuese.

Disa muaj më parë teksa shprehur hapur dëshirën për të kandiduar për në Parlamentin Evropian, ai u shfaq në një video i veshur me tre kravata, një xhaketë dhe pantallona të shkurtra.

Panagiotou e bëri të qartë që në fillim se nuk ia ka idenë nga politika dhe nuk di asgjë për Bashkimin Evropian, por garantoi ndjekësit e tij se brenda pak muajsh do të lexojë dhe mësojë mbi ligjet dhe gjithçka tjetër.

Nëse konfirmohen sondazhet, ekziston mundësia e zgjedhjes së tij si eurodeputet, qoftë me fitoren ndaj DIKO-s, qoftë me humbjen e njërës prej dy mandateve të siguruara tradicionalisht nga AKEL-i.

Edhe nëse nuk zgjidhet, ai do të lërë pas katër parti parlamentare (Volt, EDEK, DIPA dhe Ekologët) të cilat garojnë me nga gjashtë kandidatë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos