
Pallati Buckingham njoftoi të enjten se Mbreti Charles ka filluar procesin e heqjes së të gjithë titujve dhe nderimeve për Princin Andrew, pas zbulimeve rreth marrëdhënies së tij me Jeffrey Epstein. Në të njëjtën ditë në drejtim të ish-princit që do të njihet si Andrew Mountbatten Windsor, janë adresuar akuza të rënda nga historiani britanik Andreë Lowney.
Duke folur në podkastin e Daily Mail, "Deep Dive: Rënia e Shtëpisë së Jorkut", Lowney zbuloi se gjatë një udhëtimi të financuar nga taksapaguesit në Tajlandë, ish-princi vetëm në katër ditë kishte marrë 40 prostituta në hotelin me pesë yje ku po qëndronte.
Sipas Lowney, Andrew nuk ka "kufij moralë" dhe e shfrytëzoi rolin e tij për të "mbushur xhepat e tij" dhe për të ndjekur gratë.
Lowney është autori i biografisë “Ngritja dhe Rënia e Shtëpisë së Jorkut”, e cila kronikon rënien dramatike të Andrew. Duke folur në podcast, historiani tha se në vitin 2001, Princi i atëhershëm Charles kishte sugjeruar që vëllait të tij të mos i jepej roli i të dërguarit tregtar të kurorës, duke paralajmëruar se ai do të “ndiqte gratë dhe do të luante golf”.
“Në vitin 2001, Andrew ishte 41 vjeç, duke kaluar një krizë të moshës së mesme dhe filloi të ndiqte shumë gra, duke përdorur rolin e tij si një i dërguar tregtar i paguar nga taksapaguesit për të shkuar në udhëtime. Ai gjithmonë kalonte dy javë kohë private. Kështu që ne paguam për pushimet e tij. Pati një udhëtim të famshëm në Tajlandë për festimet e ditëlindjes së Mbretit. Andrew po përfaqësonte vendin e tij dhe këmbënguli të qëndrojë në një hotel me pesë yje në vend të ambasadës, siç bënte gjithmonë. Andrew solli aty 40 prostituta gjatë një periudhe katër ditore. E gjithë kjo u bë e mundur nga diplomatët dhe të tjerët”, tha Lowney.
Sipas historianit, incidenti në Tajlandë është verifikuar nga disa burime, përfshirë një korrespondent të Reuters dhe një anëtar të familjes mbretërore tajlandeze.
Lowney i shtoi gjithashtu një dimension tjetër sjelljes së Andrew-t, duke argumentuar se shqetësimi i vërtetë gjatë udhëtimeve të tij si i dërguar tregtar ishte se ai po përdorte pozicionin e tij për të çuar përpara interesat personale të biznesit.
Në të njëjtën kohë, ai bëri thirrje që Arkivat Kombëtare të publikojnë të dhëna nga koha e Andrew-t si i dërguar tregtar, duke argumentuar se kishte një "konspiracion heshtjeje" që rrethonte princin e rrëzuar.
“Andrew dërgonte një listë njerëzish që donte të takonte për qëllime personale biznesi ose për qëllimet e një burri të quajtur David Rowlands, me të cilin kishte një marrëdhënie biznesi. Për shembull, Andrew arriti të siguronte një licencë bankare për Rowlands në Lindjen e Mesme. Ai organizoi një takim në Kinë për Rowlands, i cili donte të zhvillonte biznesin e tij atje. Të gjitha të dhënat nga koha e tij si i dërguar tregtar midis viteve 2001 dhe 2011 mbeten të mbyllura në Arkivat Kombëtare", pohoi historiani. (A2 Televizion)
