Testimet bërthamore, përse u ndalën dhe përse Trump kërkon t’i rikthejë?

Nga Rosalba Bejdo
31 Tetor 2025, 23:29 | Bota

Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi të enjten ushtrinë amerikane që të rifillojë menjëherë testimet bërthamore, pas një ndërprerjeje prej 33 vitesh, vetëm disa minuta para nisjes së takimit me Presidentin kinez Xi Jinping.

Por, sa teste bërthamore janë kryer deri më sot, pse u ndaluan dhe pse dikush do të donte t’i rifillonte ato?

Shtetet e Bashkuara nisën epokën bërthamore në korrik të vitit 1945 me testimin e një bombe atomike me fuqi 20 kilotonësh në Alamogordo, Nju Meksiko. Vetëm pak javë më pas, në gusht të po atij viti, ato hodhën dy bomba atomike mbi qytetet japoneze Hiroshima dhe Nagasaki, duke e detyruar Japoninë të dorëzohej në Luftën e Dytë Botërore, shkruan A2.

Bashkimi Sovjetik tronditi Perëndimin kur shpërtheu bombën e tij të parë bërthamore katër vjet më vonë, në gusht të vitit 1949. Në pesë dekadat mes viteve 1945 dhe 1996, kur u nënshkrua Traktati Gjithëpërfshirës për Ndalimin e Testeve Bërthamore, u kryen mbi 2000 teste bërthamore, prej të cilave 1032 nga Shtetet e Bashkuara dhe 715 nga Bashkimi Sovjetik, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara.

Britania e Madhe kreu 45 teste, Franca 210, dhe Kina 45. Që nga hyrja në fuqi e Traktatit Gjithëpërfshirës për Ndalimin e Testeve Bërthamore janë kryer vetëm 10 teste bërthamore: India dhe Pakistani nga dy secili në vitin 1998, ndërsa Koreja e Veriut në vitet 2006, 2009, 2013, 2016 dhe 2017.

Shtetet e Bashkuara testuan për herë të fundit në 1992, Kina dhe Franca në 1996, dhe Bashkimi Sovjetik në 1990. Rusia, që trashëgoi pjesën më të madhe të arsenalit sovjetik, nuk ka testuar kurrë një armë bërthamore pas shpërbërjes së BRSS-së. Së fundmi, Moska zhvilloi stërvitje bërthamore dhe testoi një raketë dhe torpedo me energji bërthamore, por jo një kokë bërthamore. 

Heather Williams, eksperte për çështjet bërthamore, deklaroi: “Testi i fundit bërthamor i SHBA-së ishte në vitin 1992. Kjo u nxit kryesisht nga protesta publike, ndikimet mjedisore, pasojat humanitare që lidhen me testimet bërthamore. Por, gjithashtu pati një lëvizje ndërkombëtare në rritje për të hequr dorë nga testimet bërthamore. Kina kreu testin e saj të fundit bërthamor në vitin 1996. Rusia kreu testin e saj të fundit në vitin 1990 dhe të gjitha nënshkruan Traktatin Gjithëpërfshirës të Ndalimit të Testeve Berthamore të vitit 1997 dhe ky i ndaloi plotësisht testimet bërthamore mbi tokë, nën tokë. Dhe Shtetet e Bashkuara këmbëngulën që të kishte një prag zero rendimenti, që do të thotë se çdo aktivitet bërthamor, çdo eksperiment nuk mund të prodhonte asnjë lloj rendimenti nga një reaksion kritik zinxhir”.

Pse u ndaluan testimet bërthamore?

Me kalimin e kohës, u shtuan shqetësimet për ndikimin e testeve (në tokë, nën tokë dhe nën ujë) mbi shëndetin e njerëzve dhe mjedisin. Testimet e Perëndimit në Paqësor dhe ato të Bashkimit Sovjetik në Kazakistan e Arktik patën pasoja të mëdha si për njerëzit, ashtu edhe për natyrën. Aktivistët thonë se miliona njerëz në këto zona kanë vuajtur për dekada nga ndotja dhe sëmundjet e shkaktuara nga testet bërthamore. Ndërprerja e garës së armatimeve gjatë Luftës së Ftohtë, sipas mbështetësve të traktatit, do të ndihmonte në uljen e tensioneve mes Moskës dhe Uashingtonit. Traktati për ndalimin e testeve ndalon çdo shpërthim bërthamor, kudo dhe për këdo. Rusia e nënshkroi traktatin në vitin 1996 dhe e ratifikoi në 2000. Shtetet e Bashkuara e nënshkruan po në 1996, por nuk e kanë ratifikuar kurrë. Në 2023, Presidenti Vladimir Putin e tërhoqi zyrtarisht ratifikimin rus, duke e vendosur vendin e tij në të njëjtin pozicion me SHBA-të. Pyetja që ngrihet është: përse do të testoheshin serish armët bërthamore? Dy janë arsyet kryesore: për të mbledhur informacion, ose për të dërguar një mesazh politik. Testet japin të dhëna mbi fuqinë e armëve të reja dhe funksionalitetin e atyre ekzistuese.

Në vitin 2020, Washington Post raportoi se administrata e atëhershme e Donald Trump kishte diskutuar mundësinë e zhvillimit të një testi bërthamor. Një test i tillë nuk do të kishte vetëm vlerë teknike, por do të shihej nga Rusia dhe Kina si një shenjë e forcës strategjike amerikane. Putin ka paralajmëruar se nëse SHBA rifillon testet bërthamore, Rusia do të bëjë të njëjtën gjë, duke thënë se një garë e re bërthamore botërore tashmë ka nisur.

“SHBA do t’i rikthehej testimeve bërthamore nëse do të ishte e nevojshme për të konfirmuar kredibilitetin e arsenalit bërthamor amerikan. Pra, arsenali bërthamor i SHBA kalon rregullisht nëpër një program vlerësimi strategjik të menaxhimit të rezervave. Dhe kjo do të thotë që shkencëtarët me të vërtetë të zgjuar në laboratorët kombëtarë po përdorin superkompjuterë, lazerë dhe teknologji të tjera me të vërtetë të përparuara për t'u siguruar që arsenali bërthamor është i përshtatshëm për qëllimin dhe se do të bëjë atë që duhet të bëjë. Ata mund ta bëjnë këtë pa asnjë testim shpërthyes. Por, ka edhe një aspekt politik në gjithë këtë, apo jo? Nëse SHBA-të donin të jepnin një sinjal vërtet të madh ose t'i dërgonin një sinjal vërtet të fortë Rusisë ose Kinës se donin të ktheheshin në konkurrencën bërthamore, ndoshta me modele të reja armësh, atëherë mund të donin të ktheheshin në testime edhe për këto arsye. Megjithatë, mendoj se është shumë e rëndësishme të theksohet se kur Presidenti Trump tha së fundmi se donte që SHBA-të të ktheheshin menjëherë në testimet bërthamore, është e mundur që ai të kishte parasysh llojin e testimit për të cilin kam folur, që është testimi i kokave bërthamore, testimi nga rezervat bërthamore. Është gjithashtu e mundur që ai të kishte parasysh testimin e raketave dhe platformave të tjera të shpërndarjes që do të mbanin ato armë bërthamore. Dhe ky lloj testimi është duke vazhduar. Rusia dhe Kina angazhohen rregullisht në testimin e raketave balistike ndërkontinentale”, shprehet Heather Williams.

Çfarë po bëjnë fuqitë e mëdha me armët e tyre bërthamore? Numri i saktë i kokave bërthamore të secilit shtet është sekret, por sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë, Rusia ka rreth 5,459 koka bërthamore, SHBA rreth 5,177. Këto shifra përfshijnë armët e pozicionuara, të magazinuara dhe ato të tërhequra nga përdorimi. Sipas Shoqatës për Kontrollin e Armatimeve në Uashington, SHBA ka 5,225 koka aktive dhe Rusia 5,580. Në kulmin e Luftës së Ftohtë, në vitin 1986, në botë kishte mbi 70,000 koka bërthamore, shumica në SHBA dhe BRSS. Sot numri është ulur në rreth 12,000, por përsëri pjesa më e madhe mbetet në duart e Rusisë dhe SHBA-së. 

Nëse Shtetet e Bashkuara do t’u riktheheshin testimeve bërthamore, atëherë edhe zotërues të tjerë të armëve bërthamore mund të ndiqnin shembullin. Vendi që do të përfitonte më shumë nga një rikthim në testimet bërthamore është Kina. Shtetet e Bashkuara kryen mbi një mijë teste bërthamore. Rusia kreu mbi 700. Kina ka bërë më pak se 100 teste bërthamore. Dhe shumë ekspertë dhe zyrtarë kinezë kanë theksuar se Kina mund të jetë në disavantazh për sa i përket njohurive mbi arsenalin dhe modelet e armëve të saj, sepse thjesht nuk ka aq shumë të dhëna testimi. Dhe kështu, nëse do të thyhej tabuja kundër testimeve bërthamore, nëse do të kishte një rikthim në më shumë teste bërthamore, Kina do të fitonte shumë më tepër nga kjo sesa do të fitonin Shtetet e Bashkuara.

Pas tyre vijnë Kina me rreth 600 koka, Franca me 290, Mbretëria e Bashkuar me 225, India me 180, Pakistani me 170, Izraeli me 90, Koreja e Veriut me 50. Tre fuqitë kryesore, Rusia, SHBA dhe Kina, janë aktualisht në proces të modernizimit të plotë të arsenaleve të tyre bërthamore. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos