Zgjedhjet në Francë, politikanët përballen me sulme verbale nga elektorati

Nga Erjon Dervishi
5 Korrik 2024, 11:36 | Bota

Franca është përfshirë nga sulme të dhunshme verbale kundrejt figurave politike, në prag të zgjedhjeve të së dielës të cila do të përcaktojnë qeverisjen e ardhshme katër vjeçare në Francë. Zëdhënësja e qeverisë franceze Prisca Thevenot dhe ekipi i saj u sulmuan teksa po punonin në zyrat e shtabit elektoral, e fundit në një varg incidentesh të dhunshme që përfshinin ligjvënësit francezë që kundërshtonin zgjedhjet parlamentare të së dielës.

"Ne thjesht do të vendosnim postera në një tabelë zyrtare. Ishte mesditë nuk ishte natë, nuk ishte mbrëmje. Njerëzit po ktheheshin nga puna, kishte shumë njerëz në rrugë. Ne u sulmuam jashtëzakonisht dhunshëm dhe shumë shpejt nga një grup që erdhi nga kushedi, nuk kemi pasur ende kohë të kuptojmë plotësisht se çfarë na ka ndodhur, sepse mund të imagjinoni se sa të tronditur jemi”, tha Prisca Thevenot, zëdhënëse dhe kandidate e qeverisë në zgjedhjet legjislative.

Ekipi i saj nuk është i vetmi që është sulmuar. Politikania e djathtë e Bashkimit Kombëtar, Marie Dauchy, e cila kandidon në zonën elektorale juglindore të Savoie, vendosi të pezullojë fushatën e saj pasi tha se u sulmua fizikisht gjatë fushatës në një treg. Në Cherbourg, një kandidat i qendrës së djathtë nga partia Republikanët, Nicolas Conquer, bëri një ankesë zyrtare pasi pretendoi se ishte sulmuar nga aktivistët e krahut të majtë të hënën.

Politikanët kanë paralajmëruar vazhdimisht se një fitore e ekstremit të djathtë mund të provokojë protesta të mëdha në rrugë. Presidenti Emmanuel Macron ka folur për "luftë civile" e cila mund të shpërthejë, nëse ekstremi i majtë ose i djathtë fiton me një diferencë të madhe në balotazhin e së dielës.

Politikanët nga të gjitha kahet politike nxituan të dënojnë sulmin dhe dhanë një paralajmërim të fortë në lidhje me dhunën e lidhur me zgjedhjet. Jordan Bardella, kreu i partisë së ekstremit të djathtë Bashkimi Kombëtar, reagoi duke shfaqur "mbështetjen e tij të plotë" pas sulmeve, duke bërë thirrje për "qetësi".

Kryeministri aktual Gabriel Attal, denoncoi gjithashtu sulmin, duke thënë se "dhuna dhe frikësimi nuk kanë vend" në demokracinë franceze. Sakaq, janë afro 30 mijë policë dhe xhandarë të cilët do të vendosen në të gjithë Francën të dielën në rast të trazirave publike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos