
Suedia ka urdhëruar largimin nga vendi të një zyrtari të ambasadës iraniane në Stokholm, duke e cilësuar veprimtarinë e tij si të papajtueshme me rregullat diplomatike ndërkombëtare.
Ministria e Jashtme suedeze bëri të ditur se ka thirrur ambasadorin iranian dhe i ka komunikuar vendimin për dëbimin e zyrtarit. Sipas ministrisë, masa lidhet me “aktivitete të papajtueshme me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi veprimtarinë konkrete të zyrtarit.
Vendimi i Stokholmit vjen mes akuzave të përsëritura ndaj Iranit për përfshirje në aktivitete që, sipas autoriteteve suedeze, përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare.
Ministri suedez i Drejtësisë, Gunnar Strömmer, deklaroi për AFP se Irani ka zhvilluar aktivitete në Suedi dhe kundër saj, duke synuar persona që kundërshtojnë regjimin iranian, si dhe interesa hebraike dhe izraelite në vend.
Sipas tij, këto aktivitete janë kryer, ndër të tjera, përmes përdorimit të rrjeteve kriminale.
(A2 Televizion)