Trishtim dhe zhgënjim, institucionet dhe politika në Shqipëri kundër vendimeve të Hagës

Nga Indrit Maraku
16 Shtator 2026, 15:52 | Politikë

Trishtim dhe zhgënjim, institucionet dhe politika në Shqipëri

Institucionet dhe krerët politikë në Shqipëri reaguan të zhgënjyer nga vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë për ish-komandantët e UCK-së. Kreu i Shtetit, Bajram Begaj, nuk e fsheh trishtimin, teksa nënvizon se asgjë nuk mund të njollosë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Trishtim i thellë për vendimin e sotëm. Vendosmëria për të apeluar vendimin është shenjë e fortë integriteti dhe qëndrueshmërie. Për shqiptarët, askush dhe asgjë nuk njollos UÇK-në! Liria ka emër!”,  u shpreh Begaj.

Kryeministri Rama ishte më i prerë dhe zemëratën e dha me një fjalë. “Marre”, shkruan ai ne një postim në rrjetet sociale.

Edhe kreu i opozitës, Sali Berisha, e quan të padrejtë dhe të pamerituar vendimin.

Ish-presidenti Ilir Meta, njëkohësisht kryetar i Partisë së Lirisë, reagimin e bëri nga qelia e burgut ndërsa e cilësoi vendim politik.

“Dënimi realisht me burgim të përjetshëm i mësuesit dhe intelektualit, Jakup Krasniqi, me moshë 75-vjecare dhe me probleme të rënda shëndetësore, që ka përdorur gjithmonë vetëm penën dhe fjalën, po aq sa kasapi i Ballkanit, Mlladiç është dëshmia më e rëndë e absurditetit të këtij vendimi politik të dhënë gjoja në emër të popullit të Kosovës”.

Ky qëndrim i unifikuar i institucioneve dhe politikës në Shqipëri, pritet të kthehet në një qëndrim të përbashkët të Kuvendit në seancën e kësaj jave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos