Kredi dhe kritika, SHBA me plane të tjera për Shqipërinë dhe Kosovën

Nga Erjon Dervishi
15 Shtator 2026, 17:53 | Bota

Shtetet e Bashkuara janë duke ndryshuar qasjen e tyre strategjike ndaj Ballkanit Perëndimor, duke sinjalizuar një politikë më të fokusuar te stabiliteti, interesat ekonomike amerikane dhe lufta kundër krimit të organizuar transnacional, ndërsa theksi te ndërhyrjet e jashtme dhe ndërtimi i institucioneve po zbehet.

Në dëshminë e tij të shkruar para Nënkomitetit për Evropën të Kongresit amerikan, zëvendës-ndihmës sekretari i Shtetit, Daniel Lawton, ka bërë të ditur se Uashingtoni nuk do të ofrojë më “mjete të pakufizuara për qëllime të papërcaktuara”.

Shqipëria përshkruhet si një aleat i ngushtë i SHBA-së në NATO. Sipas dëshmisë, dy vendet po bashkëpunojnë në luftën kundër organizatave kriminale që kanë lidhje me kartelet e drogës në hemisferën perëndimore.

“Ne po bashkëpunojmë ngushtë me aleatin tonë të NATO-s, Shqipërinë, për të çmontuar organizatat kriminale transnacionale dhe për të zgjeruar aksesin në treg për kompanitë amerikane. Një kredi e fundit për Financimin e Huaj të Ushtrisë do ta ndihmojë Shqipërinë të përmbushë angazhimet e saj për shpenzimet e mbrojtjes në kuadër të NATO-s dhe të rrisë shitjen e pajisjeve të prodhuara në SHBA”, tha Daniel Lawton, zëvendës-ndihmës sekretari i Shtetit.

Politika amerikane do të mbështetet në tri prioritete kryesore: ruajtjen e stabilitetit, zgjerimin e interesave ekonomike të SHBA-së dhe luftimin e krimit të organizuar transnacional që paraqet kërcënim për sigurinë amerikane.

Në deklaratën e përgatitur për seancën dhe të bërë publike paraprakisht, Lawton përmend zgjedhjet e përsëritura në Kosovë, periudhën e gjatë me qeveri në detyrë dhe vonesat në formimin e institucioneve si faktorë që kanë penguar avancimin e prioriteteve të përbashkëta. Në dëshmi ngrihen gjithashtu shqetësime për atë që përshkruhet si “shqyrtim i tepruar ligjor dhe policor ndaj popullatës serbe në Kosovë”.

Uashingtoni kërkon që të gjithë qytetarët të gëzojnë të drejta të barabarta, duke e konsideruar këtë të rëndësishme për ruajtjen e stabilitetit.

Në tërësi, dëshmia e administratës amerikane sinjalizon një qasje më pragmatike ndaj Ballkanit Perëndimor: më pak fokus në ndërhyrjet afatgjata për transformimin e brendshëm të shteteve dhe më shumë vëmendje te stabiliteti, siguria, interesat ekonomike amerikane dhe lufta kundër kërcënimeve transnacionale.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos