SHBA merr naftën e Venezuelës? Marrëveshja 100-vjeçare që trondit botën

Nga Rosalba Bejdo
15 Shtator 2026, 18:26 | Bota

Një marrëveshje për 65 miliardë fuçi naftë, me një afat që shkon deri në 100 vjet, po rishkruan marrëdhënien mes Uashingtonit dhe Caracasit.

Pas vitesh krizash politike dhe izolimi, Shtetet e Bashkuara po hyjnë tani në zemër të pasurisë më të madhe strategjike të Venezuelës: industrisë së naftës.

Marrëveshja përfshin 17 fusha naftëmbajtëse dhe i jep kompanisë private NABEP të drejta afatgjata mbi këto burime, ndërsa SHBA-ja merr një pjesë të drejtpërdrejtë në kompani dhe në prodhimin e naftës.

Por, ndërsa Uashingtoni e paraqet si një marrëveshje që do të sjellë investime dhe do të ringjallë prodhimin venezuelian, në Caracas theksojnë një pikë: burimet natyrore dhe sovraniteti mbi to mbeten të Venezuelës.

 “Deputetët e nderuar që janë në favor të miratimit të marrëveshjes për mbështetjen e marrëveshjes dypalëshe energjetike mes Republikës së Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shumica e cilësuar është e dukshme. Miratohet.”, tha kryetari i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, Jorge Rodriguez.

 “SHBA-ja ka njoftuar se do të ketë koncesione për 100 vjet, që përfshijnë rezerva prej 65 miliardë fuçi nafte, dhe se do të zotërojë 35% të kompanisë NABEP. Gjithashtu, do të përfitojë edhe 20% shtesë të prodhimit të naftës nga këto fusha, me koston e prodhimit nga perspektiva e Venezuelës.

Marrëveshja me NABEP parashikon, siç e përmenda, një lloj kontrate të re të quajtur CPP, për një periudhë 25-vjeçare. Kompania do të paguajë 16% të prodhimit në formën e rentës, për të ashtuquajturat ‘fusha të gjelbra’, pra fusha që ende nuk janë zhvilluar.”, tha Francisco Monaldi, drejtor i Programit për Energjinë në Amerikën Latine.

65 MILIARDË FUÇI, POR SA MUND TË NXIRREN?

Shifra prej 65 miliardë fuçish tingëllon kolosale, por nuk do të thotë se gjithë kjo naftë do të dalë menjëherë nga toka. Fushat ndodhen kryesisht në brezin e Orinocos dhe në zonën e Liqenit Maracaibo dhe kanë karakteristika shumë të ndryshme. Në fazën e parë, investimet pritet të shkojnë te fushat që tashmë janë të zhvilluara dhe prodhojnë naftë. Ndërsa zonat e reja, veçanërisht ato me naftë ekstra të rëndë në Orinoco, kërkojnë investime shumë më të mëdha dhe mund të mos zhvillohen plotësisht as brenda 20 viteve. Pra, pas shifrës spektakolare të rezervave, ekziston një pyetje shumë konkrete: sa prej kësaj pasurie mund të kthehet realisht në prodhim?

 “Pika kryesore këtu është se, në afat të shkurtër, do të shohim rritje të prodhimit në fushat ekzistuese, të cilat tashmë janë zhvilluar dhe janë në prodhim. Dhe pikërisht aty do të përqendrohen investimet fillestare.

Është shumë e pamundur që gjatë pesë viteve të para të zhvillohen disa nga fushat e reja, të paprekura deri tani. Për më tepër, disa prej këtyre fushave nuk ka gjasa të zhvillohen as brenda një periudhe 20-vjeçare, sepse janë më pak tërheqëse, veçanërisht fushat e Orinocos.”, tha Francisco Monaldi.

SA FITON AMERIKA, SA FITON VENEZUELA?

Këtu fillon beteja për mënyrën se si do të ndahet kjo pasuri. Uashingtoni thotë se marrëveshja do të sjellë investime amerikane dhe do të rikthejë në prodhim një pjesë të industrisë së dëmtuar venezueliane. Caracas, nga ana tjetër, flet për një marrëveshje 25-vjeçare dhe pretendon se shteti do të marrë më shumë se 209 miliardë dollarë në taksa dhe pagesa për shfrytëzimin e naftës. Por kushtet janë të ndërlikuara: SHBA-ja merr 35 për qind të kompanisë, 20 për qind të prodhimit dhe të drejtën e parë për pjesën tjetër. Ndërkohë, Donald Trump e ka përshkruar marrëveshjen si një nga marrëveshjet më të mëdha të bëra ndonjëherë.

 “Dua të theksoj se kjo ishte gjithashtu një marrëveshje shumë e mirë për Venezuelën, sepse kompanitë më të fuqishme dhe më të pasura në botë po hyjnë në Venezuelë, ndërkohë që më parë aty qëndronte, në mënyrë të pabesueshme, një pasuri e jashtëzakonshme e pashfrytëzuar. Por ne do ta nxjerrim gjithë atë naftë. E gjithë ajo naftë do të vijë në SHBA për t’u përpunuar në rafineritë tona. E dini, rafineritë tona janë projektuar posaçërisht për naftën e rëndë venezueliane. Kjo është një marrëveshje që askush nuk e ka parë më parë. Një marrëveshje e tillë mund të jetë ndoshta marrëveshja më e mirë e bërë ndonjëherë.”

 “E gjithë nafta që shitet duhet të shitet me çmimin e tregut. Dhe pagesa duhet t’i bëhet qeverisë venezueliane.

Kjo do të thotë se e vetmja mënyrë që kjo të jetë ligjore është që NABEP t’i ofrojë SHBA-së një marrëveshje me çmime më të ulëta dhe ta llogarisë diferencën si pjesë të kostove të veta, por jo të qeverisë venezueliane.

Në të kundërt, kjo do të shkelte ligjin venezuelian. Dhe kjo është arsyeja pse mund të kuptohet përse kjo marrëveshje duhej të nënshkruhej me një palë të tretë dhe jo me qeverinë venezueliane.

Sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Venezuelës, gjërat që ka njoftuar qeveria amerikane thjesht nuk janë të ligjshme.”, tha Francisco Monaldi,

MARRËVESHJA QË PO VIhet NË DYSHIM

Por pikërisht këtu nis edhe pjesa më e debatueshme e kësaj marrëveshjeje. Ajo u negociua në fshehtësi, nuk kaloi përmes një procesi konkurrues dhe u lidh me një kompani private, NABEP, në vend që të nënshkruhej drejtpërdrejt me shtetin venezuelian. Ekspertët ngrenë pikëpyetje mbi përputhjen e disa prej kushteve me ligjin venezuelian, veçanërisht për mënyrën se si duhet të shitet nafta dhe se kujt duhet t’i paguhen të ardhurat. Dhe ka edhe një tjetër problem: sa më shumë rritet çmimi i naftës, aq më shumë pikëpyetje ngrihen mbi faktin nëse regjimi fiskal i ri i Venezuelës i garanton shtetit një pjesë të drejtë të fitimeve.

“Pra, ky është një nga shqetësimet: mungesa e transparencës lidhur me prioritetin kryesor, me elementin më të rëndësishëm nga këndvështrimi i venezuelianëve: sa para do të marrë qeveria e Venezuelës?

Dhe gjëja e fundit që mendoj se është e rëndësishme është se ky regjim tatimor, të cilin Venezuela po zbaton sipas ligjit të ri, nuk i përgjigjet aspak rritjes së rentabilitetit, për shembull, kur rritet çmimi i naftës. Pra, nëse çmimi i naftës rritet ndjeshëm, qeveria venezueliane në fakt do të marrë një pjesë gjithnjë e më të vogël të fitimeve.”, tha Francisco Monaldi.

KUSH E FITOI BETEJËN PËR NAFTËN?

Në fund, kjo marrëveshje është shumë më tepër se një kontratë nafte. Është një bast i madh amerikan mbi Venezuelën dhe pasurinë e saj strategjike. Për Washingtonin, nafta venezueliane mund të furnizojë rafineritë amerikane që janë të përshtatura pikërisht për naftën e rëndë dhe madje të ndihmojë në rimbushjen e rezervave strategjike amerikane. Për Caracas, marrëveshja premton investime, prodhim dhe të ardhura të mëdha për shtetin. Por opozita venezueliane kundërshton dhe thotë se burimet natyrore nuk i përkasin një regjimi, por popullit.

 “Por burimet natyrore të vendit tonë nuk i përkasin një regjimi ilegjitim; ato i përkasin popullit venezuelian. Sigurisht, Shtetet e Bashkuara janë partneri kryesor që Venezuela ka nevojë për të shfrytëzuar plotësisht vlerën e saj strategjike. Kështu mendojnë shumica e venezuelianëve”, tha María Corina Machado.

Dhe kështu, pas gjithë këtyre shifrave, mbetet pyetja më e madhe: a po ringjall Amerika industrinë e naftës së Venezuelës, apo po siguron një rol të jashtëzakonshëm mbi pasurinë e saj për dekadat që vijnë?

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos