Amerika diskuton përfundin e luftës me Iranin. Këtë e konfirmon presidenti Donald Trump që përmend bisedime shumë konstruktive mes Teheranit dhe Uashingtonit në ditët e fundit.
“Njoftoj me kënaqësi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendi i Iranit kanë pasur, gjatë dy ditëve të fundit, bisedime shumë të mira dhe produktive lidhur me një zgjidhje të plotë dhe totale të armiqësive tona në Lindjen e Mesme. Bazuar në tonin dhe frymën e këtyre bisedimeve të thelluara, të detajuara dhe konstruktive, të cilat do të vazhdojnë gjatë gjithë javës, kam urdhëruar Departamentin e Luftës të shtyjë të gjitha sulmet ushtarake kundër termocentraleve dhe infrastrukturës energjetike iraniane për një periudhë pesë ditore, në varësi të suksesit të takimeve dhe diskutimeve në vazhdim”, tha Trump, shkruan A2.
Kjo përbën një kthesë të jashtëzakonshme, pasi Trump kishte kërcënuar të godiste termocentralet iraniane deri të hënën në mbrëmje nëse vendi nuk lejonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Që nga java e kaluar, presidenti amerikan kishte thënë se nuk ishte i interesuar të ndiqte një armëpushim me Iranin.
Por, njoftimi i tij ka ndikuar tregjet botërore me një fuçi nafte që shitet tashmë me 90 dollar për fuçi, ndërsa edhe ajo Brent pësoi ulje në 104.5 dollarë për fuçi. Agjencia iraniane e lajmeve Fars, duke cituar një burim, pretendon se nuk ka komunikime të drejtpërdrejta ose të tërthorta me Shtetet e Bashkuara pasi Donald Trump foli për negociata “shumë pozitive”. Fars, e cituar nga Reuters online, pretendoi gjithashtu se Trump u tërhoq nga ideja e shënjestrimit të termocentraleve iraniane pasi Irani kërcënoi të shënjestronte termocentralet në të gjithë Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, zyrtarë amerikanë dhe izraelitë të sigurisë i thanë gazetës Washington Post se udhëheqësi i ri Mojtaba Khamenei është “i plagosur, i izoluar dhe nuk reagon ndaj mesazheve që i dërgohen”. Zyrtarët izraelitë thonë se Trupat e Gardës Revolucionare Islamike dhe disa klerikë kanë shtrënguar kontrollin e tyre mbi Iranin. Media Axios raportoi të shtunën se CIA amerikane, Mossadi i Izraelit dhe shërbime të tjera të inteligjencës po punojnë për të gjetur Khamenein, vendodhja e të cilit ka mbetur mister që kur u zgjodh udhëheqësi i ri suprem pas vrasjes së babait të tij. (A2 Televizion)