Tajvani sfidon Kinën: Ndalini kërcënimet ndaj nesh, le të punojmë për paqen

Nga Erjon Dervishi
20 Maj 2024, 14:31 | Bota

Tajvani sfidon hapur Kinën duke i bërë të qartë liderit të saj, Xi Jinping, që të ndalë kërcënimet.

Paralajmërimi ka ardhur nga Presidenti i Tajvanit, William Lai Ching-te, në momentin e betimit si President, duke shënuar fillimin e mandatit të tretë historik radhazi për Partinë Demokratike Progresive, e cila ka mbrojtur zhvillimin demokratik të ishullit përballë kërcënimeve në rritje nga Kina.

“Dua t'i bëj thirrje Kinës që të ndalojë së kërcënuari politikisht dhe ushtarakisht Tajvanin dhe të marrë përsipër përgjegjësinë globale me Tajvanin për të punuar shumë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit përgjatë ngushticës së Tajvanit dhe në rajon, për të siguruar që bota të jetojë pa frikën e shpërthimit të një lufte”, tha Lai Ching-te.

Presidenti i Tajvanit, duke iu drejtuar turmës jashtë zyrës presidenciale, përsëriti thirrjen për bisedime me Kinën, e cila e sheh ishullin si territorin e vet dhe nuk ka hequr dorë kurrë nga përdorimi i forcës për ta vënë atë nën kontrollin e Pekinit: “E ardhmja e ngushticës së Tajvanit luan një rol vendimtar për të ardhmen e botës. Qeveria e re do të drejtojë paqen dhe do të ruajë status quo-në, duke mos qenë as mbizotëruese dhe as vetëshkelëse. Unë gjithashtu dua t'i bëj thirrje Kinës të marrë përsipër përgjegjësinë globale për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, për të siguruar që bota të jetë e qetë dhe të mos jetojë me frikën e fillimit të një lufte”.  

Lai Ching-te, 64 vjeç, ish-mjek, u inaugurua së bashku me zëvendëpresidentin e ri, i cili kohët e fundit shërbeu si i dërguari kryesor i Tajvanit në Shtetet e Bashkuara. Qeveria kineze nuk ka dhënë ende një deklaratë për inaugurimin e Lai Ching-te. Megjithatë, ambasada kineze në Angli mbajti një konferencë shtypi gjatë fundjavës, duke i kërkuar qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar që të mos e mbështeste atë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos