Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka lëshuar lëvdata për Presidentin Donald Trump, por ka kritika për udhëheqësit evropianë, pas takimit të djeshëm në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas mediave të huaja, duke u shfaqur në kanalin televiziv shtetëror Rossiya 24, Lavrov tha se atmosfera në takimin e Trump me Vladimir Putin në Alaska ishte “shumë e mirë”.
"Ishte e qartë se lideri i Shteteve të Bashkuara dhe ekipi i tij, së pari, sinqerisht duan të arrijnë një rezultat që do të jetë afatgjatë, i qëndrueshëm dhe i besueshëm", tha ai.
Trump tha në bisedimet e djeshme se një armëpushim nuk ishte i nevojshëm dhe se një marrëveshje paqeje mund të arrihej ndërsa Rusia dhe Ukraina ishin në luftë, që është qëndrimi i Vladimir Putinit, por jo i Evropës, përcjell A2 CNN.
Lavrov tha se udhëheqësit evropianë kishin “këmbëngulur në çdo hap vetëm për një armëpushim dhe se pas kësaj do të vazhdonin të furnizonin me armë Ukrainën”. (A2 Televizion)