Në natën e dytë të konventës kombëtare republikane, ish-presidenti amerikan Donald Trump mbërriti në kohë për të parë ish kundërshtarët e tij teksa i dëshmonin besnikërinë. Një nga një, të gjithë rivalët e mundur për nominimin republikan dolën në skenë për të vlerësuar Trumpin. Ish- guvernatorja e Karolinës së Jugut dhe ish-ambasadorja në OKB, Niki Haley ishte e fundit që ju bashkua programit.
“Nuk jam pajtuar gjithmonë me presidentin Trump, por ne pajtohemi më shpesh, sesa nuk pajtohemi", tha ish-kandidatja Nikki Haley.
Kur Halay pezulloi fushatën presidenciale nuk u rreshtua menjëherë në krah të Trump. Por tani ajo u bën thirrje votuesve ende të pavendosur ta mbështesin atë.
“Dua ta bëj diçka të qartë. Donald Trump ka mbështetjen time të fortë. Pikë”, tha ajo.
Një tjetër sfidues i Trump gjatë primareve të 2024, guvernatori i Floridas Ron De Santis, kërkoi unitetin e partisë.
“Le ta dërgojmë Joe Biden në bodrumin e tij dhe të çojmë Trump në Shtëpinë e Bardhë”, tha ai.
I ulur në krah të Trump, ishte JD Vance, senatori i Ohajos, i cili mësoi se ishte zgjedhur për të qenë zv.presidenti i tij, vetëm një ditë më parë.
Senatori Marco Rubio mbështeti zgjedhjen. “Trump nuk e ka transformuar partinë, ai ka nxitur një lëvizje”.
Vance do të flasë në konventë mbrëmjen e së mërkurës. (A2 Televizion)