Pothuajse 300 aplikime janë dorëzuar në programin e "azilit shkencor" të shpallur nga Universiteti Aix-Marseille në Francë për studiuesit e prekur nga sulmet kundër komunitetit akademik në SHBA, pasi Donald Trump mori detyrën në Shtëpinë e Bardhë.
Nisma duket se është pritur me shumë interes, në të njëjtën kohë kur në Francë intensifikohet debati për nevojën e institucionalizimit të regjimit të “refugjatëve shkencorë”. Programi "Vend i sigurt për shkencën", i nisur në fillim të këtij viti, ofron financim dhe pritje trevjeçare për rreth 20 studiues nga jashtë.
Sipas universitetit, brenda një muaji janë dorëzuar 298 aplikime. Nga këto, 242 u konsideruan të pranueshëm. Kandidatët vijnë nga institucione të shquara amerikane, si Johns Hopkins, NASA, Columbia, Yale dhe Stanford.
Presidenti i Universitetit Aix-Marseille, Eric Berton tha se shumë aplikime u dërguan përmes mesazheve të koduara, të shoqëruara me "rrëfime shqetësuese, ndonjëherë rrëqethëse" në lidhje me trajtimin e shkencëtarëve nga administrata Trump.
Më shumë se gjysma e aplikantëve janë shtetas amerikanë (134), ndërsa 45 kanë shtetësi të dyfishtë. Ka pasur aplikime për programin nga studiues francezë, evropianë, indianë dhe brazilianë, ndërsa shumica raportohet se janë aktive në fusha duke filluar nga shkencat humane te biologjia dhe mjedisi.
Procesi i përzgjedhjes pritet të nisë në ditët në vijim, me synimin që studiuesit e parë të mbërrijnë në Marsejë në fillim të qershorit.
Në të njëjtën kohë, ish-presidenti francez François Hollande, tani deputet i Partisë Socialiste, bashkëpunoi me presidentin e Aix-Marseille për të propozuar vendosjen e një regjimi ndërkombëtar për "refugjatët shkencorë".
Dy kolumnistët kërkuan mbrojtje të veçantë për shkencëtarët, të ngjashëm me atë që u jepet gazetarëve apo kundërshtarëve politikë që janë të persekutuar. Ata theksojnë se kuadri aktual ligjor i azilit nuk mbulon specifikat e botës akademike.
Hollande madje paraqiti një propozim legjislativ në Asamblenë Kombëtare Franceze në mënyrë që studiuesit që janë subjekt i persekutimit ose kufizimeve të lirisë së tyre akademike të përfitojnë mbrojtje shtesë, që do të thotë se ata nuk do të duhet të plotësojnë kriteret strikte për t'u njohur si refugjatë, por do të mbrohen për shkak të kërcënimeve serioze.
Siç argumenton ai, në këtë mënyrë aplikimet e tyre do të shqyrtohen më shpejt dhe do të vendosen kritere të qarta dhe rrugë integrimi për të vazhduar kërkimin e tyre shkencor.
"Është detyrimi ynë, veçanërisht për studiuesit që punojnë në çështje si kriza klimatike. Nëse puna e tyre ndërpritet ose pengohet, do të jetë një hap mbrapa për njerëzimin”, tha ish-Presidenti francez. (A2 Televizion)