Një aksident tragjik në teleferikun e Monte Faito, që përshkon qytetin e Napolit, i ka marrë jetën tre personave, ndërsa një i katërt rezulton i zhdukur.
Aksidenti i rëndë ndodhi në Castellammare di Stabia, kur një nga kabllot e teleferikut Monte Faito u prish pak pas orës 15:00, duke lënë dy kabinat pezull në ajër. Në atë moment në bord ndodheshin 16 persona, përfshirë turistë dhe punëtorë.
Kabina më e afërt me stacionin malor, me 5 persona në bord rrëshqiti më pas dhe u përplas me shtyllën e parë. Tre persona vdiqën në vendngjarje, një person aktualisht rezulton i zhdukur ndërsa një tjetër besohet se ka shpëtuar dhe e plagosur, ajo është dërguar në spital.
Ndërkohë, një hetim për katastrofën është hapur nga Prokuroria Publike Torre Annunziata, e cila e ka vendosur teleferikun nën sekuestro.
Teleferiku ishte rihapur vetëm shtatë ditë më parë pas pushimit dimëror. Kabina e rrëzuar u lokalizua nga helikopteri i zjarrfikësve pas një kërkimi të vështirësuar nga dukshmëria e dobët për shkak të mjegullës së dendur.
Rreth orës 17:00 erdhi lajmi se komunikimet ishin ndërprerë dhe kabina besohej se kishte mbetur pezulluar në ajër. Në orën 18:05, Umberto De Gregorio, president dhe CEO i Eav, Holding publikoi lajmin për viktimat në mediat sociale.
Menjëherë pas konfirmimit të lajmit tragjik, Presidenti i rajonit të Kampanjias, Vincenzo De Luca , shkoi në vendngjarje. Pas aksidentit, stacioni Castellammare di Stabia u mbyll për shkak të ndërprerjes së linjës hekurudhore midis Pioppaino dhe Sorrento, duke qenë se kablloja kishte rënë mbi shina.
Policia Bashkiake e Stabias ka urdhëruar masa paraprake për mbylljen e rrugës panoramike në majën e ngjitjes drejt Pallatit Bourbon të Quisisana-s.
Teleferiku në fjalë u përurua në verën e vitit 1952. Në ditën e 15 gushtit 1960, kishte ndodhur i pari dhe i vetmi aksident fatal në historinë e saj. Kabina që po bënte seksionin zbritës, në lartësinë e shtyllës së parë, u shkëput nga kabllot e tërheqjes dhe përfundoi duke u përplasur në shinat hekurudhore poshtë saj, duke u marrë jetën 4 personave në atë kohë. (A2 Televizion)