Gazetarja italiane "tërbon" Trumpin: "Kurrë nuk e kam quajtur Evropën parazit, s'jam fans i Zelensky

Nga A2 CNN
17 Prill 2025, 21:40 | Bota

Gazetarja italiane "tërbon" Trumpin: "Kurrë nuk e kam

Disa pyetje të bëra nga një gazetare italiane kanë ndezur konferencën për shtyp të presidentit amerikan Donald Trump me kryeministren italiane Giorgia Melonin, ku shefja e ekzekutivit në Romë bëri rolin e “zjarrfikëses”.

Tensioni mbizotëroj në konferencë, kur Trump u pyet për akuzat e tij ndaj Volodymyr Zelenskit, të cilin e bën përgjegjës për luftën në Ukrainë së bashku me paraardhësin e tij në detyrë, Joe Biden.

Gazetara e pyeti Melonin në italisht, se çfarë mendonte për deklaratën e Trump përkundrejt Zelenskit ku e bën përgjegjës për luftën dhe Meloni u përgjigj gjerësisht, po ashtu në italisht, me Trump që tha duke qeshur: "Ishte kaq bukur. Çfarë... çfarë tha?".

Kur përkthyesi u përpoq të shpjegonte me nervozizëm përmbajtjen e pyetjes, atmosfera u rëndua dukshëm. Meloni, duke ndjerë tensionin, ndryshoi shpejt temën, duke deklaruar se Italia do të rriste shpenzimet e saj të mbrojtjes në 2% të PBB-së, siç përcaktohet nga objektivi i NATO-s.

Pasi mbaroi Meloni, Trump tha: “Unë nuk e fajësoj Zelenskyn, por nuk jam i emocionuar për faktin që filloi kjo luftë", duke vënë në dukje koston e madhe të shkatërrimit në Ukrainë.

“Nuk jam i kënaqur as me të, as me asnjë tjetër të përfshirë”, shtoi ai.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë e mbylli më pas me një frazë të mprehtë. “Nuk e fajësoj, por nuk mund të them që bëri punën më të mirë. Unë nuk jam një fans i madh i tij”, tha ai.

Intervista vazhdoi me një moment tjetër të sikletshëm, kur një gazetar italian pyeti nëse Trump e kishte quajtur vërtet Evropën një “parazit”.

Meloni e vuri në dyshim këtë gjë, ndërsa Trump e mohoi kategorikisht. I pyetur nëse dëshiron ta "bëjë Evropën përsëri të madhe", Trump u përgjigj duke thënë: "Shpresoj që Evropa të bëhet sërish e madhe.”

“Ka kaluar shumë probleme dhe shumë prej tyre kanë të bëjnë me emigracionin. Unë nuk jam një fans i madh i Evropës dhe asaj që kanë bërë ata me emigracionin. Besoj se do të bëhen më të zgjuar, sepse Evropa është lënduar thellë nga zgjedhjet e saj", deklaroi ai.

Në përfundim, Trump vlerësoi Georgia Melonin për politikën e saj të ashpër ndaj refugjatëve, duke theksuar se “Evropa është shumë e rëndësishme për mua”.

“Është e rëndësishme për botën. Unë dua që ata të bëjë mirë, por Europa duhet të merret seriozisht me emigracionin”, nënvizoi Presidenti amerikan. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos