“Të negociojmë!”, Teherani i përgjigjet Trumpit: S’ka bisedime të drejtpërdrejta sa kohë vazhdon presionin

Nga A2 CNN
7 Mars 2025, 17:22 | Bota

“Të negociojmë!”, Teherani i përgjigjet Trumpit:

Irani nuk do të fillojë bisedime të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara për sa kohë që Uashingtoni vazhdon politikën e tij të presionit maksimal dhe kërcënimeve kundër Teheranit.

Kështu deklaroi për AFP ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi, teksa i përgjigjej deklaratës së Donald Trump për letrën drejtuar liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei.

“Ne nuk do të fillojmë negociatat e drejtpërdrejta me SHBA për sa kohë që ato vazhdojnë politikën e tyre të presionit dhe kërcënimeve maksimale”, sqaroi Aragchi.

“Programi bërthamor i Iranit nuk mund të shkatërrohet nga operacionet ushtarake. Kjo është një teknologji që ne kemi arritur, e cila është në trurin tonë dhe nuk mund të bombardohet. Unë besoj se nëse një sulm do të ndodhte në Iran, ai mund të shkaktojë komplikime në rajon”, tha më tej ministri iranian.  

Në të njëjtën kohë, një agjenci lajmesh e lidhur me organin më të lartë të sigurisë të Iranit raportoi se nuk ka asgjë të re në deklaratat e presidentit amerikan për Republikën Islamike dhe propozimin e tij për bisedime.

“Modeli i Trump në politikën e jashtme është: slogane, kërcënime, masa të përkohshme dhe tërheqje”, raportoi Nour News në një postim në ‘X’.

“Për Iranin: fillimisht ai tha se nuk dëshiron konfrontim, më pas nënshkroi një politikë presioni maksimal, më pas vendosi sanksione të reja dhe tani po flet për dërgimin e një letre udhëheqjes me një ftesë për të negociuar!. Kjo është një shfaqje e përsëritur e Amerikës”, nënvizohet më tej në postim.

Trump tha më herët gjatë së premtes se ai dëshiron të negociojë një marrëveshje bërthamore me Iranin dhe i dërgoi një letër udhëheqjes iraniane duke thënë se ai shpreson se ata do të bien dakord për të negociuar.

“Unë thashë se shpresoj të negociojmë, sepse do të jetë shumë më mirë për Iranin”, tha Trump në një intervistë për Fox Business Network. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos