Temperaturave të larta që kanë përfshirë Europën, parizienët do të mund t’i shpëtojnë tashmë, jo vetëm nëpër pishina apo ambiente me ajër të kondicionuar, por edhe në Lumin Senë.
I vënë shpesh në shënjestër të kritikave për ndotjen e tij, ai është tani i përshtatshëm për të mirëpritur notarë të kryeqytetit francez për herë të parë që prej 1923. Vendimi u mor pas një operacioni të zgjeruar pastrimit, të nisur që prej Olimpikeve të Parisit verën e kaluar.
Tre zona përgjatë shtratit të Senës do të jenë në gjendje për të mirëpritur deri në mbi 1 mijë notarë çdo ditë deri më 31 gusht, një lajm që është mirëpritur nga vendasit e turistët që e shfrytëzuan të parët këtë të drejtë: “Është shumë mirë, jam e impresionuar dhe befasuar. Nuk kisha imagjinuar kurrë të notoja kaq pranë Kullës Eiffel. Uji është i pastër dhe i ngrohtë. Ka pak alga, por kjo është normale”.
Investimet përfshinin ndërlidhjen e dhjetëra mijëra shtëpive me sistemin e kanalizimeve, përmirësimin e impiantit të trajtimit të ujit dhe ndërtimin e rezervuarëve të mëdhenj të ruajtjes së ujit të shiut për të parandaluar daljen e ujërave të zeza gjatë stuhive të forta.
Ndërsa vonesat, të shkaktuara nga shirat e dendur, ndikuan disa prej sesioneve të trajnimit për triatlonin e meshkujve në olimpike, kompeticionet u zhvilluan sipas planit në Senë, duke rikthyer besimin tek siguria e lumit për shfrytëzim publik.
Teste ditore të cilësisë së ujit do të mbahen gjatë sezonit të notit, me flamuj të kuq e të gjelbër, që do të sugjerojnë se zona është e hapur apo e mbyllur. (A2 Televizion)