Gjykata e Posaçme lë në burg “shoferin” e Ergys Agasit

Nga A2 CNN
29 Gusht 2026, 17:02 | Kronikë

Gjykata e Posaçme lë në burg “shoferin” e Ergys

Gjykata e Posaçme caktoi të shtunën masën e sigurisë “arrest në burg” për Ulian Shpatarakun. Ish-zyrtari i Policisë së Shtetit, i përjashtuar disa muaj më parë në radhët e uniformave blu, u arrestua nga i njëjti operacion policor, ku u prangos biznesmeni Ergys Agasi.

Në përfundim të një seance që zgjati gati 2 orë, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për lënien në paraburgim të Shpatarakut, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “përkrahjes së autorit të krimit”. Burime pranë seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura, bënë me dije se vetë ish-zyrtari i policisë ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës.

Përmes avokatit mbrojtës, Shpatarku ka kërkuar shpallje të moskompetencës, me pretendimin se vepra për të cilën akuzohej nuk është kompetencë e SPAK, kërkesë që është rrëzuar nga gjykata. Ish-zyrtari i policisë u arrestua pasditen e së mërkurës, teksa bënte shoferin e automjetit në të cili po udhëtonte nga Elbasani drejt Durrësit i kërkuar i SPAK, Ergys Agasi.

Pas arrestimit, policia gjeti dhe sekuestroi një arsenal të tërë armësh në banesën e tij, dy pushkë, dy shotgan, 3 pistoleta dhe një sasi municioni, për të cilat zotëronte leje nga organet kompetente. Burime policore konfirmuan pezullimin e lejes së mbajtjes së armëve, e po ashtu edhe verifikimin e ligjshmërisë për lejimin e mbajtjes së një sasie të tillë armatimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos