
Një tjetër tragjedi është shënuar në brigjet e Lampedusas në Itali, ku një varkë me emigrantë është mbytur, duke shkaktuar 19 viktima dhe disa të plagosur rëndë.
Sipas raportimeve të mediave italiane, mjetet e Guardia Costiera ndërhynë në një operacion shpëtimi në det të hapur, ku u përballën me një skenë dramatike. Nga varka e mbingarkuar u nxorën 19 trupa të pajetë, të cilët dyshohet se kanë humbur jetën si pasojë e hipotermisë. Trupat u transportuan në molin Favarolo.
Ndërkohë, pesë persona arritën të shpëtohen, por ndodhen në gjendje kritike për jetën. Mes tyre është edhe një fëmijë. Të mbijetuarit janë dërguar me urgjencë në qendrën shëndetësore të ishullit, ku mjekët po përpiqen t’i stabilizojnë.
Operacioni i shpëtimit ka përfshirë një angazhim të madh të forcave detare dhe emergjencave, në një situatë të cilësuar nga ekipet në terren si jashtëzakonisht e vështirë. (A2 Televizion)