Tronditet Azia Juglindore, mbi 21 të vdekur pas tërmetit

Nga A2 CNN
28 Mars 2025, 15:16 | Bota

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7,7 ballë tronditi Azinë Juglindore, duke lënë të vdekur disa njerëz, duke rrëzuar një ndërtesë shumëkatëshe në ndërtim në Bangkok të Tajlandës dhe duke rrëzuar ndërtesa dhe ura në Mianmarin fqinj, ku junta në pushtet shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në disa zona.

Të paktën tre persona u vranë në qytetin Taungoo në Mianmar kur një xhami u shemb pjesërisht, thanë dëshmitarët, ndërsa media lokale raportoi se të paktën dy persona vdiqën dhe 20 u plagosën pas shembjes së një hoteli në Aung Ban, shkruan A2 CNN. Në Tajlandë, Guvernatori i Bangkok tha se kishte tre të vdekur nga tërmeti. Ai paralajmëroi për pasgoditje të mundshme, por u bëri thirrje njerëzve të jenë të qetë dhe tha se situata ishte kryesisht nën kontroll.

Të paktën një person u vra dhe dhjetëra punëtorë u shpëtuan nga nën rrënojat e ndërtesës shumëkatëshe që ishte në ndërtim e sipër në Bangkok, tha Instituti Kombëtar i Mjekësisë Emergjente të Tajlandës.

Njerëzit vrapuan në rrugët e kryeqytetit tajlandez në panik, shumë prej tyre mysafirë të hotelit me rroba banjo dhe kostume noti, ndërsa uji u binte nga një pishinë e ngritur në një hotel luksoz, thanë dëshmitarët.

Tërmeti u pasua nga një pasgoditje e fuqishme dhe disa të tjera të ulëta.

Në Myanmar, tërmeti shkaktoi shembjen e ndërtesave në pesë qytete dhe qyteza, si dhe një urë hekurudhore dhe një urë rrugore në autostradën kryesore, thanë media shtetërore. "Ne të gjithë dolëm me vrap nga shtëpia pasi gjithçka filloi të dridhej", tha një banor në Mianmar për Reuters. “Të gjithë në qytetin tim janë në rrugë dhe askush nuk guxon të kthehet brenda ndërtesave", tha ai.

Në Kinë, qyteti i Kunming dhe destinacionet e njohura turistike të Lijiang dhe Dali ishin ndër të prekurit. Agjencia e menaxhimit të fatkeqësive në qytetin Ruili raportoi dëme në shtëpi dhe lëndime, njoftuan mediat kineze.

Tërmeti në Azinë Juglindore konsiderohet si një nga më të fuqishmet të dekadës së fundit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos