Trump: Erdogan merr vesh më mirë se kushdo nga zgjedhjet e manipuluara

Nga A2 CNN
26 Shtator 2025, 11:21 | Bota

Presidenti amerikan, Donald Turmp, tha se homologu turk Recep Tayipp Erdogan merr vesh më shumë se kushdo nga zgjedhjet e manipuluara. Ai e quajti një provë miqësie faktin se ka mbajtur marrëdhënie të mira me Erdogan-in edhe gjatë kohës kur nuk ishte në detyrë.

“Ne kemi qenë miq prej kohësh, edhe gjatë katër viteve kur unë isha në ekzil, padrejtësisht. Zgjedhje të manipuluara… Ai kupton më mirë se kushdo se çfarë janë zgjedhjet e manipuluara. Por, kur isha në ekzil, mbetëm miq. Ishte një provë miqësie”, tha Trump gjatë takimit mes të dyve në SHBA, përcjell A2 CNN.

Trump lavdëroi presidentin turk, duke thënë se ai respektohet në të gjithë botën. “Ka ndërtuar një ushtri të jashtëzakonshme, të fuqishme, përdor shumë nga pajisjet tona. Është nder ta kem këtu në Shtëpinë e Bardhë…”.

Sa i përket rolit të tij në luftën Rusi-Ukrainë dhe arritjen e një marrëveshjeje paqeje, Trump tha se Erdogan mund të ndikojë shumë. “Mund t’ju them se presidenti Erdogan respektohet nga të gjithë. Të dy (Putin dhe Zelensky). Të gjithë e respektojnë Erdogan. Ata me të vërtetë e respektojnë Erdogan. Edhe unë. Dhe mendoj se ai mund të ketë një ndikim të madh nëse dëshiron. Për momentin ai është shumë neutral. I pëlqen të jetë neutral. Edhe mua më pëlqen të jem neutral, por ai është dikush që, nëse do të përfshihej, gjëja më e mirë që mund të bënte do të ishte të mos blinte naftë dhe gaz nga Rusia. Nëse ai do ta bënte këtë, kjo ndoshta do të ishte gjëja më e mirë”, u shpreh Trump. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos