Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se "Edi Rama duhet të japë dorëheqjen si person i rrezikshëm, si bashkëpunëtor i organizatave të narkoterrorizmit ndërkombëtar".
"Largimi i Edi Ramës është rruga e vetme për shpëtimin e shqiptarëve, e rajonit dhe Europës nga rreziqet e mëdha të narkoshtetit shqiptar. Edi Rama mendon se do ta kapërcejë Arubën. Edi Rama ka dhe mbështetës, të cilët kur më dëgjojnë se flas për narkoshtetin apo Arubën, zemërohen me Sali Berishën. Por unë do mbroj, mbi të gjitha interesin e shqiptarëve, dhe interesat e qytetarëve të lirë kudo që janë, të cilët duhet të jetojnë jashtë rrezikut, ata dhe fëmijët e tyre, të drogave që trafikojnë klanet shqiptare", tha Berisha, shkruan A2.
"Çarteri është nisur nga Tirana. Unë do t’ju informoj ju se, duke falënderuar shumë gazetarin italian dhe antimafien që i ka bërë të disponueshme rregjistrimet e këtij takimi, ne po hetojmë dhe çdo informacion që të mbledhim, ne do e paraqesim para jush, para shqiptarëve dhe para botës. Nuk ka akt më flagrant. Sot janë vetëm dy persona në drejtim që bëjnë takim me kartelet e drogës: është Maduro i Venezuelës, është Ramaduro i Tiranës. Unë, njerëzisht u kërkoj mediave, të mos censurojnë këtë skandal të përmasave botërore. Unë, u them mediave të kontrolluara nga qeveria, që e kanë censuruar, se këto organizata me qendër në Aruba, janë shpallur organizata terroriste. Dhe se, Aruba, si bursa botërore e drogës dhe trafiqeve ka si shareholder më kryesorët kartelet shqiptare të drogës.
Pra, 30 vitet e fundit, pas Noriegës, tani janë dy shefa ekzekutivi: Maduro, në Venezuelë dhe Rama, që shkon në strofullën e tij, jo në Venezuelë, por në Aruba. Aruba është ngjitur me Venezuelën, dhe Aruaba është në kontroll të plotë të klaneve të Venezuelës. Ju informoj gjithashtu se, në Aruba, kanë qenë kartele e drogës të Shqipërisë, por kanë qenë dhe grupet e organizatave kriminale të drogës nga Kosova dhe Maqedonia, shqiptare. Dhe natyrisht, ortakët e tyre të karteleve të Venezuelës, Kolumbisë, Ekuadorit, Paraguait, Uruguait", shtoi Berisha. (A2 Televizion)