Zgjedhjet për Tiranën, Berisha zbulon ekipin që do negociojë me partitë opozitare për kandidatin

Nga A2 CNN
26 Shtator 2025, 13:42 | Politikë

Zgjedhjet për Tiranën, Berisha zbulon ekipin që do negociojë

Në konferencën e së premtes për mediat, kryedemokrati Sali Berisha i rrëzoi plotësisht zërat për një kandidim të mundshëm të Ilir Alimehmetit në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Tiranës.

Berisha zbuloi se këshilltari i djathtë për bashkinë e Tiranës do të jetë pjesë e një ekipi të PD, bashkë me Flamur Nokën dhe Belind Këlliçin që do të negociojnë me partitë opozitare për të zgjedhur një kandidat të mundshëm që do të sfidojë Ogerta Manastirliun.

“Unë kam ngarkuar një grup prej 3 personash që do të negociojnë me partitë e tjera për emrat. Do të jetë Flamur Noka, Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti. Do të jenë përfaqësuesit tanë që do negociojnë me partitë e tjera. Por tani, a më shkon mua që nga një anë të ngarkoj dhe t’u them partive që do negociojmë, dhe nga ana tjetër të them emra. Kjo nuk më shkon”, deklaroi Berisha.

Më tej, kreu i selisë blu tha se ekipi i PD do të mblidhet sot për të bashkërenduar punën në këtë drejtim. Berisha gjithashtu zbuloi se do të negociohet me të gjitha partitë e frontit opozitarë, edhe jashtë koalicionit që garoi në zgjedhjet e 11 majit.

Kanë filluar që dje në një farë mënyre në disa aspekte. Këta tre persona, z.Noka, z.Këlliçi dhe z.Alimehmeti janë të ngarkuar të negociojnë me të gjitha partitë opozitare, koalicioni dhe jashtë koalicionit. Ata takohen për kandidatët, me partitë. Pasi të bjenë dakord, se duhet të bjenë dakord me parti të tjera. Pastaj, vjen radha e kandidatëve. Puna është në vazhdim. Unë, natyrisht nuk kam ndërmend të prononcohem për njeri, meqënëse ky është një proces. Po të ishte ndryshe, ju flisja unë këtu, vija ju thosha që kandidati i preferuar do jetë ky. Jo, nuk është ashtu”, u shpreh Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos