Nuk ka vonuar kundërpërgjigjja e Trump, pas fjalimit të fortë të kryeministrit kanadez Mark Carney në Davos, ku foli për prishjen e rendit global të udhëhequr nga SHBA dhe u bëri thirrje fuqive më të vogla të bashkohen.
Presidenti amerikan tërhoqi ftesën që i bëri Kanadasë për t’iu bashkuar Bordit të sapothemeluar të Paqes, në episodin më të fundit të përplasjeve mes fqinjëve amerikanoveriorë.
“Ju lutem, lejoni që kjo letër të shërbejë për t’ju njoftuar se Bordi i Paqes po tërheq ftesën e tij drejtuar jush në lidhje me anëtarësimin e Kanadasë”, tha Trump në Truth Social, në një postim drejtuar kryeministrit Mark Carney.
Kanadaja kishte sugjeruar se do t’i bashkohej bordit, edhe pse nuk do të paguante shumën prej 1 miliard dollarësh për të qenë anëtare e përhershme.
Ndërkohë, shefi i BE-së, Antonio Costa, tha se liderët europianë kanë dyshime serioze mbi qëllimin e bordit, por se janë të gatshëm të punojnë me organizimin sa i përket Gazës, shkruan A2 CNN.
Bordi, i cili i jep Trumpit fuqi të gjera vendimmarrëse si kryetar i tij, po cilësohet nga SHBA si një organizatë e re ndërkombëtare për zgjidhjen e konflikteve.
Fillimisht, ai u konceptua si një platformë që do të ndihmonte në përfundimin e luftës dyvjeçare mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza dhe të mbikëqyrte rindërtimin. Por në statutin e propozuar nuk përmendet territori palestinez dhe duket se është hartuar për të zëvendësuar funksionet e OKB-së. Trump do të ishte kryetar për jetë.
Rreth 60 vende janë ftuar për t’iu bashkuar bordit dhe rreth 35 e kanë firmosur tashmë, sipas Shtëpisë së Bardhë. Por shumica e vendeve perëndimore dhe anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit po hezitojnë t’i bashkohen bordit.
Britania e Madhe ka shprehur shqetësime mbi përfshirjen e presidentit rus Putin, ndërsa Franca tha se statuti, në gjendjen aktuale, ishte “i papajtueshëm” me angazhimet e saj ndërkombëtare, veçanërisht me anëtarësimin në OKB. (A2 Televizion)