Ushtria shton sulmet në Gaza, izraelitët mbyshin sheshet në protesta

Nga A2 CNN
3 Shtator 2025, 15:33 | Bota

Ushtria shton sulmet në Gaza, izraelitët mbyshin sheshet në

Qytetarët izraelitë kanë dalë në rrugët e Jerusalemit të mërkurën për ta kundërshtuar thirrjen në ushtri të dhjetëra mijëra rezervistëve për një ofensivë që është dënuar ndërkombëtarisht dhe që ka nxitur frikën në Izrael se mund t’i rrezikojë pengjet që ende po mbahen në Rripin e Gazës.

Protestuesit e akuzojnë kryeministrin e vendit, Benjamin Netanyahu, dhe kabinetin e tij, se nuk kanë arritur ta bëjnë një marrëveshje armëpushimi dhe në vend të kësaj kanë përshpejtuar pushtimin që, sipas spitaleve në Gazë, është duke e rritur dukshëm numrin e viktimave.

“Duhet të ndërmarrim veprim ekstrem që të na kujtojë dikush. Nuk ka shtet që i braktis qytetarët e vet”, tha Yael Kuperman, një protestuese pranë Knessetit, për transmetuesin publik izraelit Kan.

Izraelitët kanë protestuar shpesh gjatë luftës, duke kërkuar një marrëveshje që sjellë pengjet izraelite në shtëpitë e tyre.

Izraeli kryen sulme në pjesë të Gazës

Ndërkohë, zyrtarë spitalorë i thanë agjencisë së lajmeve, Associated Press, se të paktën 24 njerëz u vranë nga sulmet gjatë natës së mbrëmshme dhe mëngjesin e së mërkurës.

Spitali Nasser tha se i pranoi 10 trupa, përfshirë një person që kërkonte ndihmë në Rafah dhe një fëmijë të vrarë nga një sulm në jug të Gazës.

Spitali Shifa tha se mori trupat e 14 personave, mes tyre dy fëmijë dhe katër gra, ndërsa Spitali Al-Quds raportoi një viktimë tjetër nga sulmet izraelite.

Izraeli thotë se Qyteti i Gazës – qyteti më i madh palestinez, si në Rripin e rrethuar ashtu edhe në Bregun e pushtuar Perëndimor – mbetet bastion i Hamasit dhe se nën të ndodhet një rrjet i gjerë tunelesh, edhe pas bastisjeve të mëhershme gjatë luftës.

Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Izraeli ka shtuar sulmet ajrore dhe tokësore në periferi të Qytetit të Gazës, veçanërisht në lagjet perëndimore, ku sipas grupeve humanitare që koordinojnë ndihmën për të zhvendosurit, njerëzit po detyrohen të ikin drejt bregdetit.

Palestinezët dhe punonjësit e ndihmës thonë se kërcënimi i dyfishtë i luftimeve dhe urisë po bëhet gjithnjë e më i madh për familjet në Qytetin e Gazës, shumica dërrmuese e të cilave kanë janë zhvendosur disa herë gjatë luftës 23-mujore.

Zyrtarët e spitaleve dhe Ministria e Shëndetësisë e Gazës thanë të mërkurën se numri i viktimave po rritet, pasi njerëzit po vriten nga sulmet ajrore, duke tentuar të marrin ndihma, ose si pasojë e urisë ekstreme.

Ministria tha se 113 palestinezë u vranë të martën - më shumë se gjysma në Qytetin e Gazës - gjatë 24 orëve të fundit.

Ky numër, i përsëritur shpesh javët e fundit, u publikua një ditë pasi Netanyahu dhe komandantët izraelitë u thanë rezervistëve se ofensiva po hynte në atë që ata e shpresonin si “faza vendimtare” e luftës.

Ministria raportoi të mërkurën se pesë të rritur dhe një fëmijë humbën jetën nga kequshqyerja në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 367, përfshirë 131 fëmijë gjatë gjithë luftës.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi vrau 1.200 njerëz në jug të Izraelit dhe mori rreth 250 pengje, sipas shifrave izraelite.

Prej atëherë, më shumë se 63.633 palestinezë janë vrarë gjatë luftës së Izraelit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila është pjesë e qeverisjes së Hamasit dhe e përbërë nga profesionistë mjekësorë./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos