Trump “i fal” Putinit tokat ukrainase, çon Wittkof dhe Kushner në Moskë me planin që njeh territorin e pushtuar

Nga A2 CNN
28 Nëntor 2025, 20:11 | Bota

Shtetet e Bashkuara do të njohin kontrollin rus mbi gadishullin e aneksuar të Krimesë dhe territore të tjera të pushtuara në Ukrainë, për të siguruar një marrëveshje për fundin e luftës.

Është media The Telegraph që e bën të ditur diçka të tillë, teksa pretendon se Donald Trump ka çuar të dërguarin e tij të posaçëm Steve Wittkof dhe dhëndrin Jared Kushner për ti bërë një ofertë direkte Vladimir Putinit në Moskë.

Një burim me dijeni mbi çështjen i cituar nga Telegraph, thotë se plani për të njohur territorin, do avancojë pavarësisht shqetësimeve mes aleatëve europianë të Ukrainës.

“Është e qartë te amerikanëve nuk u intereson pozicioni europian. Ata thonë se europianët mund të bëjnë çfarë të dëshirojnë.”

Presidenti rus Vladimir Putin tha të enjten se njohja e ligjshme e Krimesë, Donjetkut dhe Luhanskut nga Uahsingtoni si territore ruse do të ishte një prej çështjeve kyçe në negociatat mbi planin e paqes së presidentit. Kremlini pohoi të premten se kishte siguruar një strategji të rishikuar për fundin e luftës pas bisedimeve urgjente mes delegacioneve ukrainase dhe amerikane në Gjenevë javën e kaluar.

Një plan fillestar prej 28 pikësh, i formuluar nga Witkoff pas diskutimeve me zyrtarë rus, ofronte de facto njohjen e Krimesë dhe rajoneve lindore nga Amerika.

Strategjia propozoi gjithashtu njohjen "de facto" të tokës së kontrolluar nga Rusia pas vijës së kontaktit në rajonet Herson dhe Zaporizhzhia të Ukrainës pas çdo marrëveshjeje armëpushimi. Në Gjenevë, zyrtarët ukrainas dhe amerikanë negociuan një plan të ri prej 19 pikash, i cili është më pak i favorshëm për Moskën.

Por burime të shumta kanë sugjeruar se oferta amerikane mbi njohjen e territoreve ka mbetur si pjesë e strategjisë. Kievi nuk do të detyrohej të njihte kontrollin e Rusisë mbi territoret që ka aneksuar në mënyrë të paligjshme që nga viti 2014. Kushtetuta ukrainase parandalon çdo president ose qeveri të lëshojë territor pa e shtruar më parë pyetjen para votuesve në një referendum mbarëkombëtar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos