“U tregoi edhe njëherë të gjithë atyre që e kishin të nevojshme se nuk duhet të bëjnë asnjëherë ‘hesape pa hanxhinë’ me Partinë Socialiste”. Me këtë reagim, pak orë pas miratimit të hartës së re territoriale me 46 bashki, kryeministri Edi Rama u dha shpjegim 85 votave mes shisheve të ujit dhe vezëve të demokratëve.
Shefi i mazhorancës u tregoi, në veçanti, rebelëve që u qetësuan pas mesnate se askush nuk mund të bëjë llogari personale me PS-në, sa kohë që ai është në krye të kësaj force politike.
Edi Rama, Kryeministër: “Përtej të gjithë debateve të brendshme, spekulimeve të jashtme dhe peripecive të një kohe të ngatërruar nga gjithfarë duarsh të pista, ca të dukshme e ca të padukshme, por jo të pazbuluara tanimë, votimi i mbrëmshëm në Kuvend i dha Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese”.
Me apo pa dëshirë, të gjithë socialistët iu bindën urdhrit të Edi Ramës për të votuar hartën territoriale, me objektivin për të kapërcyer momentumin e testit politik pas të gjitha ngjarjeve për të cilat akuzohet mazhoranca qeverisëse.
Erion Braçe, me duar në kokë, dhe Vullnet Sinaj, në fund të seancës, shtypën butonin jeshil, edhe pse në foltore treguan të kundërtën.
Harta e re territoriale me 46 bashki do të shkojë në tryezën e kreut të shtetit, i cili ka në dispozicion 20 ditë për të marrë një vendim, për ta dekretuar, rrëzuar apo lënë të kalojë në heshtje.
Bajram Begaj do të thotë fjalën e fundit për shkrirjen e 15 bashkive. Në të njëjtën kohë, do të duhet të mendojë edhe për shpalljen e datës së zgjedhjeve lokale të vitit 2027.
Deri më 7 nëntor, Presidenti ka kohë të mendojë se kur do t’i çojë këto 46 bashki përpara votuesve: në dy të dielat e fundit të prillit apo në dy të dielat e para të majit, periudhë që për socialistët është e preferuara. (A2 Televizion)