GJKKO nxjerr nga Pojska nënën e foshnjës 4-muajshe, i shtyhet burgu me 1 vit

Nga Armand Bajrami
9 Tetor 2026, 15:33 | Kronikë

Greta Gjoci, 33-vjeçarja, që u dërgua në burgun e Pojskës në Pogradec dy ditë më parë bashkë me foshnjën e saj 4-muajshe, u kthye në liri për të paktën një vit. Ndonëse detyrohet të vuajë një dënim me burg, Gjykata e Posaçme pranoi të enjten kërkesën e saj për të shtyrë kohën e vuajtjes së dënimit, duke vendosur pezullim të ekzekutimit të dënimit.

Gjoci u shoqërua nga Pojska në GJKKO me një auto-ambulancë, për shkak se kishte edhe foshnjën me vete. Ajo u shkëput prej saj vetëm gjatë seancës, kur ia mbajti një punonjëse e sigurisë. Nga kafazi i xhamtë i sallës së gjyqit, e reja pretendoi se në dy ditët ne qeli foshnja kishte shfaqur probleme dhe nuk kishte ngrënë.

Dakordësi për shtyrjen e vuajtjes së dënimit dha edhe prokurori Ened Nakuci. Për të mundësuar zhvillimin e seancës, avokati i 33-vjeçares theu bojkotin më shumë se 1 mujor të avokatëve në GJKKO, duke rrezikuar procedim disiplinor dhe heqje të licencës. Por avokati pretendoi se ka vënë në dijeni Dhomën e Avokatisë, për shkak të specifikës dhe natyrës humanitare të rastit.

Dërgimi në qeli i një nënës së një foshnje që ushqehej me gji, ngjalli të mërkurën edhe interesin e Avokatit të Popullit, i cili dërgoi një grup pune për monitorimin e situatës. Greta Gjoci u prangos në zbatim të një vendimi të Apelit të Posaçëm, që la në fuqi dënimin me 6 vjet e 8 muaj burg ndaj saj, si pjesë e një grupi kriminal të akuzuar për mashtrim përmes call-center-ave, dënim nga i cili i kanë mbetur për të vuajtur edhe 3 vjet e 5 muaj për të vuajtur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos