Një moment emocionues u shënua së fundmi në Zyrën Ovale, ku Presidenti amerikan Donald Trump mirëpriti me ngrohtësi familjen shqiptare Xhaferi, si pjesë e iniciativës bamirëse “Make-A-Wish”, e cila ka për qëllim të realizojë ëndrrat e fëmijëve me aftësi të kufizuara.
Familja Xhaferi, me origjinë nga Shqipëria, ka tre fëmijë, njëri prej të cilëve përballet me sfida të veçanta shëndetësore. Në një atmosferë të përzemërt dhe tejet emocionuese, presidenti u takua me ta, duke ndarë momente ngrohtësie dhe duke i dhënë vëmendjen maksimale djaloshit që kishte shprehur dëshirën për të vizituar Shtëpinë e Bardhë.
Gjatë takimit, Presidenti Trump i dhuroi fëmijës një monedhë të veçantë presidenciale, një kujtim simbolik që do të mbetet përgjithmonë në zemrat e kësaj familjeje. Ky gjest i thjeshtë, por me peshë të madhe emocionale, është pjesë e politikave të Trump për të përkrahur personat me aftësi të kufizuara dhe për të promovuar vlerat humane të shoqërisë amerikane.
“Ky është një prej takimeve më prekëse që kam përjetuar. Të shohësh buzëqeshjen e këtij djali të mrekullueshëm dhe dashurinë që kjo familje përcjell, është një kujtesë për të gjithë ne se shpresa dhe dashuria janë forca të vërteta që na bashkojnë,” u shpreh Presidenti Trump gjatë takimit. (A2 Televizion)