Shpërthime dhe viktima, Rusia kryen sulm masiv me dronë e raketa në Ukrainë

Nga A2 CNN
24 Maj 2025, 11:31 | Bota

Në fillim sirenat e vdekjes… më pas shpërthime dhe topa zjarri. Ukraina përjetoi një tjetër natë me sulme masive të kryera nga ushtria e Rusisë.

Të paktën 3 persona janë vrarë në qytetin portual të Odesës, sipas raportimeve. Gjithashtu të paktën 7 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, shkruan A2 CNN.

Përmes dronëve kamikazë iranianë Shahed dhe raketave të ndryshme, Rusia ka shënjestruar edhe kryeqytetin Kiev. Autoritetet lokale raportuan për të paktën 8 të plagosur, ndërsa qytetarët flasin për atë që tashmë u është kthyer në një ferr të vërtetë.

“Putini nuk dëshiron që lufta të përfundojë. Shpresoj që ata të arrijnë një armëpushim. Të bombardosh njerëzit kështu… fëmijët e gjorë! Vajza ime 3 vjeçare po u frikësua shumë. Lutem që rusët të pranojnë armëpushimin, por Putini nuk dëshiron. Uroj që ai të vdesë”, u shpreh Olha Chyrukha, banore në Kiev.

“Fëmijët u zgjuan duke bërtitur në 3 të mëngjesit. ‘Mama, jemi qëlluar! Ballkoni ka marrë flakë’. U thashë të marrin dokumentet, dy macet dhe të largoheshim”, tha Olha Karlina, banore në Kiev.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski, i kërkon Shteteve të Bashkuara dhe Europës që të shtojnë presionin ndaj Rusisë përmes sanksioneve të reja, në mënyrë që ta detyrojnë të pranojë armëpushimin afatgjatë. Gjithashtu pati edhe një reagim ndaj sulmit të fundit masiv me raketa Iskander dhe dronë. “Pas çdo bombardimi, bota bindet edhe më shumë se arsyeja pse kjo luftë po zgjatet qëndron në Moskë”, shkroi Zelensky në kanalin e tij në Telegram. “Ukraina ka propozuar vazhdimisht një armëpushim, si të plotë ashtu edhe nga ajri. E gjithë kjo është injoruar”, shtoi ai. Ndërkohë, ushtria ukrainase konfirmon rrëzimin e 6 raketave balistike Iskander dhe 245 dronëve të lëshuar nga Rusia në 24 orët e fundit.

 

 

 

 

 

 

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos