Trump josh Xi Jinping me pritje pompoze: Kina dhe SHBA të jenë partnerë, jo rivalë, mund të ecim paralelish

Nga Rosalba Bejdo
24 Shtator 2026, 16:16 | Bota

Një pritje solemne dhe me vlerë të fortë simbolike i dha start vizitës shtetërore treditore të presidentit kinez Xi Jinping në Shtetet e Bashkuara.

Në mbërritjen e tij në bazën ajrore Joint Base Andrews, liderin kinez e priti personalisht presidenti amerikan Donald Trump. Një gjest ceremonial i pazakontë, i shoqëruar me nderime ushtarake, fluturimin e dy bombarduesve B-1 dhe ekzekutimin e himneve kombëtare.

Herën e fundit që një president amerikan kishte pritur personalisht një lider të huaj në kuadër të një vizite shtetërore në SHBA ishte gjatë presidencës së John Fitzgerald Kennedy.

Në mesazhin e tij të parë zyrtar pas mbërritjes në territorin amerikan, Xi Jinping bëri thirrje për një klimë bashkëpunimi pragmatik mes dy superfuqive. Ai deklaroi se Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të jenë partnerë dhe jo rivalë, duke argumentuar se zhvillimi i Kinës dhe rikthimi i fuqisë amerikane mund të ecin paralelisht, në të mirë të komunitetit ndërkombëtar.

Gjatë shkëmbimit të parë të përshëndetjeve, në një atmosferë miqësore dhe joformale në pistën e aeroportit, Trump theksoi gjithashtu vullnetin për të forcuar kanalet e dialogut të drejtpërdrejtë të hapura gjatë muajve të fundit.

Pas bisedimeve formale, pasditen e kësaj të enjteje do të zhvillohet një darkë shtetërore, ku do të marrin pjesë edhe drejtues të kompanive më të mëdha të teknologjisë amerikane.

Ndërkohë, Xi Jinping ka mbërritur në Uashington pa një delegacion të drejtuesve kryesorë të kompanive të mëdha kineze të teknologjisë. Sipas “The Wall Street Journal”, pjesëmarrja e drejtuesve të kompanive kineze ishte parashikuar fillimisht, por më pas u anulua.

Kjo ka ulur pritshmëritë për marrëveshje të rëndësishme tregtare dhe investimesh.

Axhenda e bisedimeve përfshin disa prej çështjeve më të rëndësishme mes dy vendeve: nga inteligjenca artificiale, mineralet e rralla dhe tregtia, te shitja e armëve për Tajvanin dhe lufta në Iran.

Në prag të skadimit të marrëveshjes për tarifat, të dyja palët synojnë të zgjasin pezullimin e disa masave tregtare, edhe pse, për momentin, po flitet vetëm për një zgjatje dymujore të armëpushimit, deri në janar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos