Trump kërcënon Iranin: Ju bombardojmë përsëri nëse vazhdoni programin bërthamor

Nga A2 CNN
27 Qershor 2025, 20:29 | Bota

Trump kërcënon Iranin: Ju bombardojmë përsëri nëse

Donald Trump ka deklaruar këtë të premte se ai "pa dyshim" do të urdhëronte një tjetër bombardim të Iranit nëse Teherani do të vazhdonte programin e pasurimit të uraniumit, pas arritjes së armëpushimit me Izraelin.

Presidenti amerikan po i përgjigjej pyetjes së një gazetari nëse do të merrte në konsideratë mundësinë e bombardimeve të reja nëse inteligjenca amerikane arrinte në përfundimin se Irani mund të pasuronte uranium në nivele shqetësuese.

Ai iu përgjigj gjithashtu deklaratës së udhëheqësit suprem fetar të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, se vendi i tij kishte fituar luftën, duke thënë se Irani "pësoi një disfatë dërrmuese".

“Dëgjoni, ju jeni një njeri besimi, një njeri që është shumë i respektuar në këtë vend. Duhet të thoni të vërtetën: Irani pësoi një disfatë dërrmuese. Dhe Izraeli ishte i rraskapitur - të dy ishin të rraskapitur", tha Trump.

Lidhur me armëpushimin që hyri në fuqi në fillim të javës, ai komentoi se "ishte koha e duhur" për t'i dhënë fund luftës.

Presidenti i SHBA po ashtu tha se "diçka do të ndodhë" dhe lufta në Ukrainë do të "zgjidhet", duke përmendur një telefonatë të kohëve të fundit që pati me Presidentin rus Vladimir Putin, pa qenë më specifik në shpjegim.

"Po punojmë për këtë. Presidenti Putin më telefonoi dhe tha: 'Do të doja t'ju ndihmoja me Iranin'. Unë i thashë: 'Më bëni një nder, unë do të merrem me Iranin. Më ndihmoni me Rusinë. Duhet ta zgjidhim këtë çështje'. Dhe mendoj se diçka do të ndodhë atje", u tha ai gazetarëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos