
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit do të përfundojë “shumë shpejt”, pa dhënë detaje mbi mënyrën se si mund të arrihet fundi i konfliktit.
Duke folur me gazetarët në Zyrën Ovale, Trump tha se zyrtarë amerikanë kanë zhvilluar të hënën bisedime me ndërmjetës që po përpiqen t’i japin fund luftës së SHBA-së me Iranin.
“Ne do ta fitojmë luftën, për sa më përket mua. Do të ndodhë në një mënyrë ose në një tjetër. Do të përfundojë shumë shpejt”, deklaroi Trump.
Presidenti amerikan përsëriti gjithashtu se Irani nuk do të ketë armë bërthamore. Ai shtoi se pas fitores së SHBA-së në luftë, çmimet e gazit do të bien ndjeshëm.
Ndërkohë, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit kanë publikuar një letër të hapur drejtuar votuesve amerikanë, në prag të zgjedhjeve të ardhshme afatmesme në SHBA. Në letër, Garda Revolucionare u bën thirrje votuesve që të ndryshojnë administratën Trump.
Në planin ekonomik, transporti i naftës përmes Ngushticës së Hormuzit është rikthyer pranë niveleve të para luftës. Sipas të dhënave të Kpler, gjatë javës së fundit janë transportuar mesatarisht rreth 13.2 milionë fuçi naftë në ditë, pavarësisht sulmeve që vijojnë në rajon. (A2 Televizion)