Politologu Afrim Krasniqi e cilësoi lajm të mirë marrjen e detyrës së ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt.
“Për mua është lajm i mirë që në Shqipëri kemi më në fund ambasador amerikan dhe është lajm i mirë që nëse edhe në Kosovë ose në të gjitha vendet e rajonit të kemi ambasador amerikan. Sepse periudha pa ambasador e dobësoi prezencën amerikane në Shqipëri dhe Ballkani është vend i tillë që kur dobësohet SHBA-ja, aktorë të tretë e zëvendësojnë dhe kjo ndodhi, sidomos në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje. Mendoj që ambasadori i ri do ndjekë të njëjtin prioritet që ka qeveria amerikane. Unë nuk pres ndonjë ndryshim të madh. Ëështë një njeri që vjen me karrierë të gjatë dhe kam përshtypjen e ka dhe një lloj detyre nderi që lidhet me integritetin. Zakonisht, ushtarakët kur kanë një karrierë të madhe e ushtrojnë me shumë seriozitet detyrën sepse duan të krijojnë trashëgimi. Në këtë lloj këndvështrimi, më shumë do kemi një ridimensionim të rolit amerikan sesa një sherif amerikan në Shqipëri”, tha Krasniqi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Politologu shtoi se shpreson që Ambasada Amerikane “t’i qëndrojë linjës së mbështetjes së çdo hetimi serioz të SPAK-ut”.
“Personalisht, e kam parë me shqetësim tërheqjen e rolit amerikan vitet e fundit edhe nga Shqipëria, edhe nga Ballkani. Ne vërtetë jemi mësuar me atë idenë që Amerika është gjithmonë aty, është Big Brother, do na ndodhet sa herë që ne kemi nevojë. Nuk jemi përgatitur për ditën kur Amerika vetë ka probleme dhe ka prioritete të tjera, por nuk e kemi pritur kaq shpejt që Amerika mos ta ketë Ballkanin kaq shumë në vëmendje sa po shohim viteve të fundit. Nëse roli amerikan dobësohet dhe nuk zëvendësohet nga BE-ja, e cili është shumë më e tërhequr, është dëmtues për gjithçka që ne përfaqësojmë dhe presim nga Perëndimi. Interesi strategjik, interesi ynë si qytetarë, është ta kemi Amerikën, ta kemi prezent edhe kur nuk jemi dakord për disa gjëra. Ta kemi dhe të jemi aktivë dhe jemi me fat që e kemi Amerikën në krahun tonë. Dhe duke e trajtuar si të tillë, ne duhet të heqim dorë nga ideja që duhet të dëgjojmë anglisht për të vepruar shqip. Pyetja që bëjnë diplomatët amerikanë sa herë të takohemi është: “pse na doni kur nuk na dëgjoni?”. Sepse të gjithë thonë “duam Amerikën”, por kur amerikanët thonë “merrni tre masa kundër korrupsionit, ndryshoni liderët politikë, bëjeni demokracinë për qytetarët, respektoni mendimet e qytetarëve, ndiqni ca parime standarde minimale që është respekti i votës, respekti i pronës, respekti i lirive, respekti i mediave, respekti për grupet në nevojë”, ne nuk e bëjmë këtë gjë dhe mundohemi të kapemi pastaj pas teknikaliteteve. Unë shpresoj shumë që Ambasada Amerikane të jetë më aktive dhe t’i qëndrojë linjës së mbështetjes së çdo hetimi serioz të SPAK-ut. SPAK-u nuk është krijesë shqiptare. SPAK është krijuar nga SHBA kryesisht dhe nga disa shtete të Bashkimit Europian. Dhe premtimi perëndimor ka qenë: “do ju bëjmë SPAK-un, do votojmë Reformën në Drejtësi që të shpëtoni nga korrupsioni”. Unë dua që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian të investohen për ta mbajtur këtë premtim”, deklaroi Afrim Krasniqi. (A2 Televizion)